Lidhje

Partia e tij i shkakton Presidentit Trump një humbje befasuese


Në një disfatë madhore për Presidentin Donald Trump, Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga republikanët, nuk e arriti numrin e nevojshëm të votave për të miratuar paketën e reformës së kujdesit shëndetësor. Vetëm një orë përpara seancës së planifikuar për votimin, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve e tërhoqi mbrapsht propozimin që do të anullonte dhe zëvendësonte Ligjin për Kujdesin e Përballueshëm, që kishte qenë një premtim kyç i fushatës elektorale të zotit Trump. Ky përfundim dramatik mund të shërbejë si një sinjal për të ardhmen e Presidentit Trump dhe të axhendës së tij legjislative.

Rëndësia ishte tepër e lartë. Presidenti Trump luftoi për secilën votë për të miratuar përpjekjen e parë të presidencës së tij për hartim politikash, por nuk ja doli dot.

“Për pak e arritëm. Por, kur nuk ke asnjë votë nga pala tjetër, dmth demokratët, është vërtet e vështirë”, u shpreh Presidenti Trump.

Megjithëse Presidenti fajësoi palën tjetër, ishin realisht ndasitë brenda partisë së tij që i shkaktuan këtë disfatë.

Konservatorët e “Grupit të Lirisë” refuzuan negociatat e minutës së fundit me Nënpresidentin Mike Pence.

Dhe ndërsa republikanë të tjerë iu drejtuan mediave sociale për të shprehur pasiguritë e tyre, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, pas dështimit, u nis drejt Shtëpisë së Bardhë për ta dhënë vetë lajmin e keq.

Zoti Trump dhe zoti Ryan, të cilët bashkëpunuan ngushtë për të përmbushur premtimin e tyre të rëndësishëm elektoral për të zëvendësuar planin e kujdesit shëndetësor të mbiquajtur Obamacare, u shprehën se kjo disfatë nuk ndryshon marrëdhënien e tyre.

((PRESIDENTI DONALD TRUMP))

“Më pëlqen kryetari Ryan. Ai punoi shumë, me grupime dhe fraksione të ndryshme”, tha Presidenti Trump

Por, ky ishte një dështim tepër personal për presidentin e ri, thotë Donald Kettl i Universitetit të Merilendit:

“Ai pati thënë se do ta dëshmonte se është ndërmjetësuesi më i mirë. Dhe, dështoi në të parën marrëveshje që duhet të arrinte.”

Kryetari Ryan u përpoq të minimizonte dëmin për Presidentin:

“Presidenti dha gjithçka në këtë përpjekje. Ai bëri gjithçka mundej që njerëzit të vlerësonin mundësitë që ofronte ky propozim.”

Por, zotit Ryan iu desh edhe të ribashkonte anëtarët e befasuar të partisë së tij.

“Është një dështim që na dëmton të gjithëve dhe ngrihet pyetja si ta marrim veten”, tha ligjvënësi Mike Coffman.

Republikanët e pezmatuar u larguan nga takimi duke u munduar të tingëllojnë optimistë për hapat e mëtejshëm të Presidentit Trump.

“Mendoj se do angazhohet më herët në të ardhmen për iniciativat e tjera të axhendës së tij. Mendoj se do t’u kushtojë më shumë kohë”, shtoi zoti Coffman.

Ata gjithashtu pranojnë realitetin e ashpër se kanë ende shumë punë për të qeverisur.

“Kemi shumë për të bërë”, tha ligjvënësi Lee Zeldin.

U përballën ndërkohë me një Parti Demokrate të fuqizuar prej kritikave ndaj Presidentit.

“Na fajësoi neve për disfatën e kauzës së tij madhore? E pranojmë meritën”, deklaroi udhëheqësja demokrate Nancy Pelosi.

Një paralajmërim se kjo betejë është vetëm e para në shumë të tjera për Presidentin Trump.

XS
SM
MD
LG