Lidhje

Ndryshimi i imazhit të Donald Trump


Anketat e fundit në Shtetet e Bashkuara tregojnë një garë të ngushtë mes kandidatëve të pritshëm të dy partive, demokrates Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump. Republikanët duket se ngadalë por qëndrueshëm po mblidhen pas Trumpit, kandidatit të tyre edhe pse vazhdojnë dyshimet mes elitës së partisë rreth aftësisë së tij për patur këtë pozicion. Trump ka filluar ndërkohë një fushatë për përmirësimin e imazhit të tij.

Ka qënë një ngjitje e vështirë, por Donald Trump është gati të marrë çmimin që askush nuk mendonte se do të arrinte – kandidaturën presidenciale të partisë republikane.

“Ne do ta bëjmë Amerikën përsëri një vend të madh, më të mirë se kurrë më parë. Dhe ne do të fillojmë të respektohemi përsëri si vend!”

Ngadalë por i sigurtë, Trump po vepron për të bashkuar pas vetes partinë republikane, thotë një nga përkrahësit e tij të hershëm në Kongres, Chris Collins nga Nju Jorku.

“Është bashkëpunëtor, dëgjon dhe përgjigjet. Ky është Donald Trumpi dhe Amerika do të fillojë të mësohet me këtë me kalimin e kohës.”

Trump ka sfiduar edhe konservatorët, të cilët paralajmëruan se kandidatura e tij do të përçante partinë, thotë eksperti Fred Barnes.

“Më duhet të them për çudinë time, partia republikane duket të bashkohet pas Trumpit në një mënyrë që nuk dukej se do të ndodhte pak javë më parë.”

Ndonjëherë, Trump duket se synon të përmirësojë imazhin e tij. Ai mori një qasje më të butë në intervistën e tij me gazetaren Megyn Kelly të Fox News që e kujtoi se e kishte quajtur budallaqe.

“Kjo ishte kundërpërgjigje në Tweeter. A e kam thënë këtë? Më fal.”

Por Trump ka ende shumë sfida përpara për të fituar besimin e votuesve që janë të frikësuar nga retorika e tij, thotë analisti Frank Newport.

“Problemi më i madh i Trumpit është personaliteti i tij. Ai është arrogant. Njeri pa taban. Nuk është i kontrolluar. Është racist. Thotë gjëra që nuk duhet dhe më vonë i vjen keq. Kjo është ajo që dëgjojmë nga publiku”.

Nëse Trump arrin ta transformojë veten nga një pretendent i padisiplinuar dhe problematik në një kandidat të pëlqyeshëm presidencial do të shihet në rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, thotë analisti Bill Galston.

“Në fund të ditës amerikanët, duket se janë të prirur të mos rrezikojnë kur vjen puna për të zgjedhur një president. Ata mund të jenë të pakënaqur me status kuonë por pyetja është nëse alternative e tij përfaqëson një alternativë të sigurtë.Dhe sa më i frikshëm duket zoti Trump, aq më e errët prespektiva e tij në nëntor.”

Por për momentin Trump po ngjitet në anketat e opinionit dhe tani është pothuajse në të njëjtin nivel me Hillary Clinton-in në ato që duket se do të jenë zgjedhje të ngushta në nëntor.

XS
SM
MD
LG