Lidhje

Urdhri ekzekutiv për imigracionin: hapat e ardhshëm


Herën e parë që një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara vendosi për kufizimin e përkohshëm të urdhërit të Presidentit Donald Trump për ndalimin e udhëtimeve nga disa vende me shumicë myslimane, qeveria amerikane e apeloi vendimin që të nesërmen.

Pas vendimit të së mërkurës kundër urdhërit të dytë ekzekutiv të zotit Trump, i cili ndalon përkohësisht hyrjen e refugjatëve dhe dhënien e vizave të reja për njerëzit nga 6 vende të botës, pritet po ashtu që qeveria ta apelojë këtë vendim në të njëjtën Gjykatë të Qarkut të 9-të.

Vetë Trump tha të mërkurën se sfidat ligjore do të vazhdojnë edhe përtej gjykatës së distriktit, në se do të jetë e nevojshme.

"Ne kemi për ta luftuar këtë vendim të tmerrshëm"- u tha ai mbështetësve të tij në Tenësi. "Kemi për ta çuar çështjen në të gjitha instancat e nevojshme, deri në Gjykatën e Lartë. Ne do të fitojmë, dhe në këtë mënyrë do t'i mbajmë të sigurtë qytetarët tanë, besomëni."

Vendimi i të mërkurës u mor nga Gjykata e Distriktit e Shteteve të Bashkuara, një gjykatë e shkallës së parë, që përfshin edhe shtetin e Havait, njërin prej 9 shteteve perëndimore të Shteteve të Bashkuara, çështjet e të cilave mund të apelohen tek Gjykata e Qarkut të 9-të, një Gjykatë e Shkallës së Dytë.

Në muajin shkurt, një panel me tre gjyqtarë e mbajti në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë që e ndalonte qeverinë të zbatonte urdhërin e parë ekzekutiv. Anëtarët e panelit ndryshojnë çdo muaj me rotacion, kështuqë apelimi i ri mund të dëgjohet nga një ekip i ri gjyqtarësh. Ata kanë tre zgjedhje të mundshme: ta mbajnë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, ta hedhin poshtë atë, ose ta kthejnë çështjen mbrapsht për t'u rishikuar.

Leon Fresco, avokat i specializuar për imigracionin, i cili ka shërbyer si ndihmës zëvendës prokuror i përgjithshëm në Zyrën e Divizionit Civil për Çështjet Gjyqësore të Imigracionit, në Departamentin e Drejtësisë, gjatë administratës së Presidenti Barack Obama, thotë se fokusi i gjykatës së apelit do të jetë çështja e autoritetit të Presidentit Trump për të urdhëruar kufizimet e udhëtimit.

Ligji i dekretuar në vitin 1952 thotë se në se presidenti gjen me vend se lejimi i disa personave që nuk janë shtetas amerikanë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara do të ishte i dëmshëm për vendin, atëhere ai mund t'ua ndalojë hyrjen për një periudhë kohe për të cilën ai mendon se është e nevojshme.

Leon Fresco thotë se vendimi i së mërkurës i Gjykatës së Distriktit nuk e preku çështjen e autoritetit të Presidentit dhe se gjykatat "mund të japin, drejtimin e nevojshëm" jo vetëm për administratën Trump, por edhe për presidentë të ardhshëm.

Zoti Fresco thotë se çështja tjetër për t'u shqyrtuar, do të ishte: në se urdhëri ekzekutiv do të sfidohej në gjykatat e apelit, një argument për t'u konsideruar do të ishte në se deklaratat e mëparshme të Presidentit për myslimanët e kanë "dëmtuar" në mënyrë të pakthyeshme këtë çështje, edhe pse urdhëri është shkruar në mënyrë të tillë, që nuk përmendet në mënyrë specifike një fe e caktuar?

Gjykata e Disktriktit pranonte në vendimin e saj të së mërkurës, se varianti i dytë i urdhërit të Presidentit nuk "diskriminon hapur ndonjë fe të caktuar". Por thuhet në vendim, "ngaqë vendet e përfshira kanë të paktën 90 për qind të popullsisë myslimane", nuk është e vështirë të arrihet në përfundimin se urdhëri vë në objektiv fenë islame.

Vendimi i Gjykatës së Qarkut të 9-të mund të apelohet në Gjykatën e Lartë nga pala humbëse. Gjykata e Lartë e SHBA zakonisht ka 9 anëtarë, por pas vdekjes vitin e kaluar të gjykatësit Antonin Scalia, aktualisht ajo ka vetëm 8 anëtarë.

Duke patur parasysh historikun e vendimeve për imigracionin nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, pritet që votimi atje për çështjen e urdhërit ekzekutiv të jetë 4-4. Në se do të kishim një skenar të tillë, do të mbetej në fuqi vendimi i Gjykatës së Qarkut të 9-të, duke i bërë edhe më të rëndësishme veprimet e kësaj gjykate të shkallës së dytë.

Megjithatë, apelimi i vendimit mund të bëhet në Gjykatën e Lartë, pasi të fillojë nga puna gjykatësi i emëruar nga zoti Trump për në Gjykatën e Lartë. Kjo mund të bëjë që vendimi i kësaj gjykate të jetë në favor të administratës.

I emëruar i zotit Trump për në Gjykatën e Lartë, gjykatësi Neil Gorsuch, konsiderohet si një jurist konservator, i cili gëzon një mbështetje të fuqishme në Senat.

James Thurber, profesor i njohur i “Universitetit Amerikan”, mendon që edhe në se Neil Gorsuch do të ketë filluar nga detyra si anëtar i Gjykatës së Lartë, kjo mund të mos garantojë fitoren e administratës Trump për çështjen e ndalimit të udhëtimeve.

Avokati për imigracionin Leon Fresco thotë se në se një urdhër ekzekutiv do të ishte lëshuar nga një tjetër president, me të njëjtin formulim si ai i zotit Trump, por në një kontekst tjetër, ai do të ishte mbajtur në fuqi në 99 për qind të rasteve. Ai pret që në rastin e urdhërit ekzekutiv të zotit Trump, Gjykata e Shkallës së Dytë, apo ajo e Qarkut të 9-të përsëri do ta mbajë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e pezulluar urdhërin e Presidentit.

"Mendoj se gjykatësit duan t'i japin mesazhin presidentit se ai nuk duhet të fillojë të operojë me mendimin se ka autoritet të pakufizuar për të bërë çfarë do ai për çështjen e imigracionit."- tha ai. "Unë mendoj se ky është mesazhi që do të japë Gjykata e Qarkut të 9-të. Por nuk mund të them se cili do të jetë mesazhi që do të japë Gjykata e Lartë…" - thotë zoti Fresco.

Ai mendon se autoriteti i njohur me ligj është një mjet i rëndësishëm për një president dhe se nuk ja vlen që ai të dobësohet për atë që ai e cilëson "një urdhër i keq-konceptuar për pezullimin e udhëtimeve."

"Në se çështja shihet në aspektin e gjerë të politikave, ajo është në rrugë të gabuar. Përse duhet çuar kjo çështje deri në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, me një vendim që ndoshta do ta shkatërronte këtë autoritet presidencial, aq të nevojshëm për të ardhmen? - shtron pyetjen Leon Fresco.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG