Lidhje

Trump konfirmon disa nga premtimet e fushatës në intervistë


Që kur fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, republikani Donald Trump ka zbutur tonet duke ngritur kështu pikëpyetje nëse do t’i përmbushë premtimet e fushatës së tij. Ai gjithashtu lavdëroi kundërshtaren demokrate Hillary Clinton dhe bashkëshortin e saj, ish-presidentin Bill Clinton, si dhe presidentin Barack Obama. Presidenti i zgjedhur iu përgjigj disa prej këtyre pyetjeve gjatë një interviste me rrjetin televiziv CBS.

Fitorja e papritur e zotit Trump ka ngjallur protesta në qytete kryesore amerikane, ndërsa po planifikohen të tjera protesta për t’u mbajtur në muajin janar, kur bëhet dhe ceremonia e përurimit.

“Mendoj se një protestë e tillë mund t’u japë një mesazh atyre që nuk janë të kënaqur me këtë president, në SHBA apo jashtë saj, se amerikanët nuk mbështesin axhendën e tij raciste dhe seksiste,” shprehet nje protestuese.

Zoti Trump nxitoi të vërë në dukje se ish-kundërshtarët politikë i kanë dhënë tashmë mbështetjen. Në intervistën për programin “60 Minuta”, të kanalit CBS, ai i përshkroi Klintonët si një “familje e talentuar”, këshillat e të cilëve do t’i ketë në konsideratë. Zoti Trump konfirmoi synimin e tij për ngritjen e një muri me Meksikën, por pranoi se në disa segmente do të jetë vetëm një gardh.

“Por, për disa pjesë, muri është më i përshtatshëm. Jam shumë i zoti në ndërtim.”

Republikanët në Kongres e kanë bërë të qartë se nuk do të krijojnë një njësi të re për të deportuar 11 milionë emigrantë pa dokumenta, siç ka premtuar zoti Trump. Gjatë intervistës, ai këmbënguli se disa do të deportohen.

“Do të mbledhim ata që kanë të dhëna kriminale, pjesëtarë bandash dhe trafikantë droge. Kemi shumë të tillë, 2 ndoshta dhe 3 milionë, që do t’i largojmë nga vendi dhe do të burgosen. Pasi të sigurohet kufiri, do të vendosim për njerëzit e tjerë, të cilët janë të mrekullueshëm.”

Ish-kandidati presidencial Bernie Sanders tha se demokratët duhet të krijojnë një lëvizje popullore për të luftuar për të drejtën.

“Nuk ka arsye pse të paguajmë çmimet më të larta për ilaçe, apo pse të jemi i vetmi vend që nuk garanton kujdesin shëndetësor për popullsinë.”

Zoti Trump tha se do ta rrëzojë programin shëndetësor të Presidentit Obama dhe se do ta zëvendësojë me një program të ri që do të ruajë disa nga parashikimet aktuale.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG