Lidhje

Trump do të paraqesë planin e tij për të luftuar terrorizmin


Pas një jave gjatë së cilës ai akuzoi Presidentin Barack Obama dhe kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton se ishin “themeluesit” e grupit ekstremist Shtetit Islamik, kandidati republikan Donald Trump pritet këtë javë të paraqesë planet e tij për t’u përballur me terrorizmin ndërkombëtar.

Në takime fushate dhe intervista javën e kaluar, Donald Trump përsëriti pretendimin se për shkak të politikave të tij, Presidenti Barack Obama dhe sekretarja e tij e shtetit, Hillary Clinton krijuan grupin Shteti Islamik.

“Dhe e kam thënë se Barack Obama është themeluesi. Në radhë të pare, Barack Obama është i paaftë dhe së dyti, mos e harroni këtë, është themeluesi i (ISIS) në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Më pas, zoti Trump tha se kishte bërë “ironi” kur kishte bërë ato komente, por vazhdoi të këmbëngulte se politikat e Presidentit Obama e ndihmuan grupin ekstremist të forcohej.

Fushata e zotit Trump tha se kandidati i Partisë Republikane do të paraqesë sot planet e tij për të luftuar ekstremistët e Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme. Duke folur të dielën në emisionin “This Week” të televizionit ABC, senatori republikan Jeff Sessions, përkrahës i zotit Trump, foli për temat që ai do të prekë në fjalim.

“Do të flasë për rikthimin e besueshmërisë me aleatët dhe miqtë tanë në atë rajon që luftojnë kundër këtij lloj terrorizmi. Do të flasë për rrugët e luftës kundër armiqve dhe për bashkëpunimin me miqtë dhe se si nuk duhen destabilizuar vendet siç kanë bërë Obama dhe Clintoni”.

Duke folur në të njëjtin program, ish-drejtori i CIA-s dhe ish-sekretari i Mbrojtjes në administratën e zotit Obama, Leon Panetta tha se zoti Trump duhet të flasë me detaje për planin e tij.

“Mendoj që Donald Trump, në vend që të bëjë pretendime krejtësisht të papranueshme që Presidenti Obama na qenka babai i ISIS-it, që është gënjeshtër, duhet të thotë se çfarë strategjie do të zbatojë për të mposhtur Shtetin Islamik. Por ai thotë që ka një plan sekret dhe askush nuk di se ç’është ky plan”.

Ndërkohë, Hillary Clinton pritet të bëjë fushatë në Pensilvani, Ohajo dhe Karolinën e Veriut, shtete ku ka gjasa që të vendoset fati i zgjedhjeve. Anketat e fundit tregojnë se ajo ka një epërsi të lehtë ose në rritje në këto shtete.

XS
SM
MD
LG