Lidhje

Trump i përqëndruar tek kandidaturat për shefin e diplomacisë amerikane


Presidenti i zgjedhur Donald Trump u takua të enjten me këshilltarët e tij kryesorë dhe me kandidatë për postet më të larta në kabinetin e ardhshëm presidencial, ndërkohë që më vonë të enjten pritet të takohet me Kryeministrin japonez Shinzo Abe.

Zoti Trump kishte planifikuar të bisedonte me ish-Sekretarin e Shtetit Henry Kissnger, shefi i diplomacisë amerikane në vitet 1970. Ai u takua gjithashtu me guvernatoren e Karolinës së Jugut Nikki Haley, emri i së cilës po lakohet ndër kandidaturat e mundshme për sekretare shteti.

Donald Trump është fokusuar tek emërimet për sigurinë kombëtare, por ende nuk ka bërë ndonjë njoftim për zgjedhjen e tij.

Që nga dalja e rezultatit të zgjedhjeve, ai ka komunikuar me telefon me disa udhëheqës botërorë, përfshirë Presidentin e Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi, Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin rus Vladimir Putin. Bisedimet me Kryeministrin japonez Abe do të jenë takimi i parë i drejtpërdrejtë i zotit Trump me një udhëheqës të huaj.

Para se të nisej nga Japonia, zoti Abe tha se donte të diskutonte me zotin Trump mbi vizionin e tij për të ardhmen dhe rëndësinë e partneritetit Uashington-Tokio për sigurinë.

Ndërkaq përfaqësues të ekipit të zotit Trump kanë shkuar në agjenci të ndryshme qeveritare për t’u njohur nga afër me operacionet. Zëdhënësi i zotit Trump Sean Spicer tha se janë dërguar ekipe në Departamentin e Shtetit, Pentagon, Departamentin e Drejtësisë dhe në Këshillin për Sigurinë Kombëtare.

Javën e ardhshme vëmendja do të përqëndrohet tek departamentet e ekonomisë dhe punëve të brendshme si dhe tek agjencitë e pavarura.

Media amerikane ka njoftuar se brenda ekipit të zotit Trump ka pasur përplasje të shumta ndërkohë që diskutohen kandidaturat për postet e kabinetit. Zoti Trump këmbëngul se procesi po ecën pa probleme dhe se ai është i vetmi person që e di kush do të zgjidhet.

Ish-ambasadori amerikan në OKB, John Bolton dhe ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani thuhet se janë ndër kandidaturat e mundshme për postin e sekretarit të shtetit.

XS
SM
MD
LG