Lidhje

Trump përpiqet të tërheqë klasën e mesme punëtore


Nëpërmjet premtimit për të ngritur mure apo për të rrëzuar marrëveshjet e tregtisë së lirë, Donald Trump fitoi emërimin republikan duke iu drejtuar votuesve të bardhë të shtresës së mesme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Aru Pande, ishte në Pensilvani, një shtet tradicionalisht demokrat, por ku ka votues që preferojnë zotin Trump.

Bob Bolus nuk e fsheh preferencën e tij për presidentin e ardhshëm të Amerikës.

Parrulla si “Ta Bëjmë Amerikën Sërish Madhështore!”, apo “Të Ngrejmë Murin!”, dallohen qartë mbi rimorkion që ai e ka parkuar pranë tubimeve të organizuara nga kandidatët Trump, Sanders dhe Clinton.

Biznesmeni nga qyteti Scranton mbështet kandidatin Trump pasi dëshiron një Amerikë tjetër, me kufij të mbyllur dhe pa importe.

“Do të balancojmë tregtinë. Kamionë si ky do të përshkojnë sërish të gjithë Amerikën me produkte amerikane dhe jo të prodhuara gjetiu.”

Kjo ndjesi është e pranishme në klasën e mesme të bardhë të votuesve në Pensilvaninë veriore thotë profesor Borick, i lindur në Scranton. Një anketim i fundit tregon se ndër punëtorët e bardhë pa shkollë të lartë, zoti Trump udhëheq me 53% ndaj 31% të zonjës Clinton.

“Ndjehen të kërcënuar nga shumë anë; humbja e vendeve të punës, ndoshta prej marrëveshjeve të tregtisë dhe emigracionit.”

Megjithëse të dhënat demografike mund të jenë në favor të zotit Trump, demokratët kanë fituar në Pensilvani gjatë gjashtë zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Scranton është qyteti ku lindi babai i Hillary Clinton dhe vendi ku ajo kalonte stinën e verës në fëmijëri. Kjo mund t’ja vështirësojë gjërat kandidatit Trump, të cilit i duhet të motivojë njerëzit të votojnë. Mike Ruth, tregtar paisjesh mjekësore, thotë se do të votojë për zotin Trump pavarësisht shqetësimeve për aftësitë e tij drejtuese.

“Ai e quan veten njeriun që arrin marrëveshje, por kur përballesh me udhëheqës të huaj nuk mundesh të negociosh shumë gjëra me këtë lloj përqasjeje të rëndë.”

E megjithatë, zoti Ruth thotë se nuk mundet të votojë për zonjën Clinton, për të cilën thotë se nuk mundet t’i zërë besë.

Për shoferen e kamionave, Kishan Makarian, nuk ka opsione të mira, pasi mangësitë e të dy kandidatëve e bëjnë edhe më të vështirë votimin këtë vit.

“Nuk e di. Po të ishte në dorën time, nuk do të zgjidhja asnjërin. Por, ç’të bëjmë? Na duhet dikush në krye të vendit.”

Është një përkufizim i pranishëm në këtë proçes zgjedhor të papreçedent në SHBA.

XS
SM
MD
LG