Lidhje

Donald Trump, masa të rrepta për emigracionin


Kandidati republikan Donald Trump bëri thirrje për kontrolle dhe verifikime të rrepta, përfshirë edhe një test ideologjik, për t’u siguruar se njerëzit që do të emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara kanë të njejtat vlera me ato amerikane dhe të respektojnë popullin amerikan.

Kandidati republikan për president dha detaje rreth politikave të tij për emigracionin dhe marrëdhëniet me jashtë, përpara një tubimi në Jangtaun, të shtetit Ohaio.

“Për t’i vendosur këto proçedura të reja, do të na duhet të pezullojmë përkohësisht emigracionin nga disa prej rajoneve më të rrezikshme të botës, të cilat kanë dhe historik të eksportimit të terrorizmit. Nuk janë për ne,” tha ai.

Zoti Trump sulmoi sërish Presidentin Obama dhe rivalen demokrate, ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton, për gjykim të keq në Irak, Siri, dhe Libi, por nuk përsëriti deklaratën e mëparshme për President Obama si “themelues i Shtetit Islamik”.

Ndërkaq, zonja Clinton dhe Nënpresidenti Biden u shfaqën së bashku në vendlindjen e zotit Biden, në qytetin Scranton të Pensilvanisë, ku zoti Biden ngriti pikëpyetje rreth temperamentit, intelektit dhe cilësive të zotit Trump për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.

“Idetë e zotit Trump jo vetëm që janë thellësisht të gabuara, por janë edhe shumë të rrezikshme dhe jo-amerikane. Ato reflektojnë një injorancë të thellë rreth kushtetutës sonë. Është një mjet për të luajtur lojën e terroristëve dhe të propagandës së tyre,” tha Nënpresidenti Biden.

Fushata e zotit Trump u përball me një tjetër çështje dje, pasi gazeta “New York Times” raportoi që hetuesit në Ukrainë po shqyrtojnë nëse kryetari i fushatës së zotit Trump, zoti Paul Manafort, pati marrë një pagesë jo të ligjshme prej miliona dollarësh nga partia e ish-presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Zoti Manafort ishte këshilltar i Presidentit Yanukovych përpara se të arratisej nga vendi në vitin 2014 gjatë një revolte popullore.

Gazeta njoftoi se emri i tij është në një listë ku tregohet se për të ishin parashikuar 12.7 milionë dollarë fonde. Zyra anti-korrupsion në Ukrainë po shqyrton nëse kjo e dhënë jo zyrtare tregon për fonde të paguara jo-ligjërisht nga qeveria e Ukrainës.

Sidoqoftë, nuk ka prova që zoti Manafort ta ketë marrë këtë shumë dhe ai e quajti akuzën “të pabazë, qesharake dhe të pakuptimtë”.

XS
SM
MD
LG