Lidhje

Shqetësime për komentet e zotit Trump mbi NATO-n


Pikëpyetjet që ka shtruar hapur kandidati republikan për president, Donald Trump, nëse Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë në mënyrë automatike aleatët e NATO-s nëse ata sulmohen, kanë ngritur shqetësime në Uashington. Ekspertë të politikës së jashtëme thonë se një skenar i tillë do të dobësonte Evropën dhe do të zvogëlonte ndikimin amerikan.

Kandidati republikan për president, Donald Trump i tha gazetës The New York Times se nëse zgjidhet, ai do të vinte kushte për mënyrën se si do të reagonin Shtetet e Bashkuara nëse një vend i NATO-s do të sulmohej. Kjo ka shkaktuar shqetësime mbi të ardhmen e Aleancës edhe pse ndikimi i saj në Evropë po rritet. Zoti Trump tha se fillimisht do të shikonte se sa e kanë ndarë vendet e tjera koston e financimit të NATO-s.

Kushdo që do të marrë Shtëpinë e Bardhë, thotë Luke Coffey i Fondacionit Heritage, duhet ta kuptojë se anëtarësimi në NATO është diçka e qartë.

“Nëse je në NATO, je automatikisht i siguruar. Kështu funksionon Aleanca. Kështu ka funksionuar qëkur u themelua në ditët e para të Luftës së Ftohtë. Çdo devijim nga kjo pozitë përbën rrezik për Aleancën dhe dërgon mesazh të gabur tek Rusia.”

Traktati i NATO-s thekson mbrojtjen kolektive, por çdo vend anëtar ka të drejtë të vëndosë vetë se çfarë veprimi konsideron të nevojshëm të ndërmarrë.

Jeffrey Gedmin i Këshillit të Atlantikut shpreh shqetësimin se deklaratat e fundit të zotit Trump përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale.

“Kjo do të dobësojë Evropën dhe do të zvogëlojë ndikimin amerikan. Nuk ndihmon dhe është e padobishme.”

Ekspertët thonë se Shtetet e Bashkuara kanë përfituar mjaft nga siguria dhe stabiliteti që ka gëzuar Evropa falë Natos.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG