Lidhje

Trump: Po dolën probleme, fajësoni gjykatësin


Presidenti Donald Trump u është drejtuar amerikanëve me fjalët se “nëse ndodh diçka” duhet t’ia vënë fajin gjykatësit që bllokoi urdhrin e tij për të ndalur imigracionin nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Siç e bën shpesh, ai përsëri i përcolli komentet përmes Twitterit duke thënë - “nuk më besohet që gjykatësi e vuri vendin tonë në një rrezik të tillë”.

Në fund të javës së kaluar, Gjykatësi i shtetit të Uashingtonit James Robart bllokoi përkohësisht urdhrin ekzekutiv të zotit Trump për të pezulluar futjen në Shtetet e Bashkuara të refugjatëve dhe personave të tjerë nga shtatë vende me shumicë myslimane: Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Të dielën, Gjykata e Apeleve në Qarkun e San Franciskos nuk pranoi të ri-aktivizonte zbatimin e urdhrit të Presidentit Trump.

Në komenet e së dielës në llogarinë e tij në Twitter, Presidenti Trump tha se kishte urdhëruar Departamentin e Sigurisë Kombëtare të kontrollonte njerëzit që futeshin në Shtetet e Bashkuara “në mënyrë shumë të kujdesshme”, duke shtuar se gjykatat e kishin vështirësuar shumë këtë punë. Ai veçoi Gjykatësin Robart duke thënë “Gjykatësi e hapi vendin tonë për terroristë dhe të tjerë që nuk kanë interesat tona në mendje. Njerëzit e këqinj u gëzuan shumë!”

Gjykata e apelit u ka dhënë zyrtarëve federalë dhe shteteve amerikane afat deri sot për të paraqitur argumentat e nevojshme për të dëshmuar që urdhri për ndalimin e udhëtarëve dhe imigrantëve nga shtatë vendet e specifikuara duhet të deklarohet jokushtetues, ose duhet të riaktivizohet.

Shtetet e Uashingtonit dhe Minesotës që të hënën në mëngjes paraqitën argumenta pranë gjykatës së apelit ku e cilësonin ndalimin e udhëtarëve nga këto vende si jokushtetues dhe një akt që dëmton banorët, bizneset dhe universitetet. Analistë ligjorë thonë se kjo çështje mund të përfundojë para Gjykatës së Lartë.

Departamenti i Drejtësisë, i cili ende nuk ka paraqitur argumenta të reja, tha më parë se vendimi i gjykatësit “vë në pikëpyetje arsyetimin e presidentit për sigurinë kombëtare” dhe dëmton publikun duke cënuar zbatimin e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump.

Nënpresidenti Mike Pence u doli në mbrojtje kritikave të zotit Trump në adresë të Gjykatësit Robart, duke thënë se presidenti ishte shprehur në një mënyrë unike që amerikanët e shohin si risi të mirëpritur.

“Veprimet e gjykatësit në këtë rast, duke marrë vendime që lidhen me politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Amerikës, janë shumë shqetësuese për presidentin,” tha zoti Pence dje në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC.

Por udhëheqësi i shumicës republikane në Senat Mitch McConnell tha për rrjetin CNN se do të ishte “më mirë të mos veçohen me emër gjykatësit, kur bëhen kritika”.

“Të gjithë ne duam të pengojmë futjen e terroristëve në Shtetet e Bashkuara, por nuk mund të ndalim udhëtimet. Nuk duam që aleatët tanë myslimanë, të cilët luftuan përkrah nesh në vende të konfliktit të mos kenë mundësi të vijnë në Shtetet e Bashkuara. Duhet të tregojmë kujdes në këtë temë,” tha zoti McConnell.

Udhëheqësja e demoratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha të dielën për rrjetin NBC se është e gatshme të punojë për akte legjislative që lejojnë një pezullim të përkohshëm “për sa kohë që akte të tilla respektojnë Kushtetutën”.

“Ne gjithmonë duhet të analizojmë politikat e kontrollit për të parë nëse funksionojnë, por kjo nuk do të thotë që të vëmë në zbatim politika jokushtetuese, të pamoralshme që ndalin futjen e myslimanëve në vendin tonë,” tha zonja Pelosi.

Pas vendimit të gjykatësit, Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit filloi të lejonte futjen në Shtetet e Bashkuara të udhëtarëve me viza të vlefshme.

Disa shoqëri të mëdha fluturimesh, përfshirë Air France dhe British Airways, filluan të lejojnë pasagjerë nga shtatë vendet e listës që të udhëtonin përsëri me avionët që vinin drejt Shteteve të Bashkuara.

Por një refugjat somalez tha se rreth 140 refugjatë të cilët do të sistemoheshin në Shtetet e Bashkuara u bllokuan nga urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump dhe u rikthyen në kampin e refugjatëve dhe nuk është e qartë se kur mund të lejohen të vijnë.

Ky grup pritej të dërgohej në Seattle të shtetit Uashington për t’u sistemuar, por tani janë kthyer në kampin Dadaab në Kenian lindore ku kishin qenë më parë.

XS
SM
MD
LG