Lidhje

Trump akuzon ish-presidentin Obama për përgjime


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, akuzoi sot nëpërmjet Twitter-it se paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama, pati urdhëruar përgjimin e komunimikeve telefonike gjatë fushatës presidenciale. Akuzat e Presidentit Trump pasojnë disa zbulime të reja të bëra të ditura nga mediat amerikane, për kontakte të tjera ndërmjet zyrtarëve të fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë.

Presidenti Donald Trump postoi një seri mesazhesh sot në Twitter duke akuzuar pararendësin e tij, ish-Presidentin Barack Obama, për përgjim të komunikimeve përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Presidenti Trump tha në Twitter se zoti Obama pati urdhëruar përgjimin e linjave telefonike të Kullës Trump në Nju Jork. Presidenti Trump e konsideron këtë zbulim një skandal të ngjashëm me “Watergate”-in.

Zoti Trump nuk ka ofruar prova konkrete për akuzën për përgjim nga ish-administrata Obama.

Vetëm një ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions pranoi se ishte takuar dy herë me ambasadorin rus Sergei Kislyak gjatë fushatës presidenciale, takime të cilat ai nuk i raportoi gjatë seancës së tij të konfirmimit në Senat.

Ndërkohë, administrata Trump vazhdon të përballet me zbulime të reja për kontakte me zyrtarët rusë, përfshirë takime në Kullën Trump ndërmjet dhëndrrit të Presidentit, zotit Jared Kushner, ish-këshilltarit të dorëhequr të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, dhe ambasadorit rus.

Dje zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u ballafaqua me pyetje përse këto takime po bëhen të ditura kaq me vonesë:

“Nuk ishin takime sekret. T’ju them të drejtën unë nuk isha në dieni se ishin zhvilluar këto takime, pra nuk mendoj se ndokush i konsideronte si diçka tepër të rëndësishme, pasi nuk pati diskutime mbi politikat,” tha zëdhënësi Spicer.

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se takimet e zhvilluara në Kullën Trump kishin patur synim vendosjen e një linje komunikimi ndërmjet administratës së ardhshme amerikane dhe ambasadorit të Rusisë. Shtëpia e Bardhë i konsideroi këto takime të zakonshme dhe shtoi se zoti Kushner pati zhvilluar takime me përfaqësues të disa vendeve të ndryshme.

XS
SM
MD
LG