Lidhje

Trump: Obama autorizoi përgjime në Kullën Trump para zgjedhjeve


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, akuzoi sot nëpërmjet Twitter-it se paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama, pati urdhëruar përgjimin e komunimikeve telefonike gjatë fushatës presidenciale. Akuzat e Presidentit Trump pasojnë disa zbulime të reja të bëra të ditura nga mediat amerikane, për kontakte të tjera ndërmjet zyrtarëve të fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë.

Presidenti Donald Trump postoi një seri mesazhesh sot në Twitter duke akuzuar pararendësin e tij, ish-Presidentin Barack Obama, për përgjim të komunikimeve përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Presidenti Trump tha në Twitter se zoti Obama pati urdhëruar përgjimin e linjave telefonike të Kullës Trump në Nju Jork, megjithëse ai nuk ofron ndonjë provë për këto akuza. Presidenti Trump e konsideron këtë zbulim, një skandal të ngjashëm me “Watergate”-in.


Presidenti Trump nuk ofroi prova për të mbështetur akuzën e tij. Zyra e zotit Obama nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave.

Por në një postim përmes Twitterit, ish-analisti i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare John Schindler aludoi se akuzat e Presidentit Trump mund të kenë lidhje me Ligjin për Përgjimin e Burimeve të Huaja të 1978 që lejon përgjimin dhe grumbullimin e të dhënave ndër vende të huaja dhe agjentët e tyre.

Demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Ben Cardin tha se nëse administrata Obama do të kishte dashur të përgjonte bisedat në Kullën Trump, do t'i ishte dashur autorizim nga Gjykata mbi Aktivitetin Sekret.

"Prandaj e kemi këtë gjykatë," tha të shtunën zoti Cardin. "Dega ekzekutive nuk mund të veprojë në kokë të vet. Atyre u duhet aprovimi i gjykatës para se të fillojnë aktivitete të tilla".

Senatori republikan Lindsey Graham, anëtar i Komisionit të Senatit për Çështje Gjyqësore tha të shtunën se nëse ishin vënë pajisje përgjimi gjatë fushatës në Kullën Trump, ky do të ishte "skandali më i madh politik që nga Watergate," duke iu referuar skandalit që rrëzoi nga presidenca Richard Nixonin.

Vetëm një ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions pranoi se ishte takuar dy herë me ambasadorin rus Sergei Kislyak gjatë fushatës presidenciale, takime të cilat ai nuk i raportoi gjatë seancës së tij të konfirmimit në Senat.​

FILE - Russia's ambassador to the U.S. Sergey Kislyak, speaks with reporters in Washington. Contacts with Kislyak are at the center of the latest controversy surrunding the Trump administration.

FILE - Russia's ambassador to the U.S. Sergey Kislyak, speaks with reporters in Washington. Contacts with Kislyak are at the center of the latest controversy surrunding the Trump administration.

Ndërkohë, administrata Trump vazhdon të përballet me zbulime të reja për kontakte me zyrtarët rusë, përfshirë takime në Kullën Trump ndërmjet dhëndrrit të Presidentit, zotit Jared Kushner, ish-këshilltarit të dorëhequr të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, dhe ambasadorit rus.

Dje zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u ballafaqua me pyetje përse këto takime po bëhen të ditura kaq me vonesë:

“Nuk ishin takime sekret. T’ju them të drejtën unë nuk isha në dieni se ishin zhvilluar këto takime, pra nuk mendoj se ndokush i konsideronte si diçka tepër të rëndësishme, pasi nuk pati diskutime mbi politikat,” tha zëdhënësi Spicer.

.Shtëpia e Bardhë tha të enjten se takimet e zhvilluara në Kullën Trump kishin patur synim vendosjen e një linje komunikimi ndërmjet administratës së ardhshme amerikane dhe ambasadorit të Rusisë. Shtëpia e Bardhë i konsideroi këto takime të zakonshme dhe shtoi se zoti Kushner pati zhvilluar takime me përfaqësues të disa vendeve të ndryshme.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG