Lidhje

Debati mbi kuvendin e republikanëve


Pretendenti kryesor për marrë emërimin e Partisë Republikane si kandidat në zgjedhjet presidenciale amerikane, miliarderi Donald Trump ka një epërsi të konsiderueshme mbi rivalët e tjerë, por ende nuk e ka të garantuar se do të marrë të 1237 delegatët që i duhen për emërimin e partisë. Çfarë ndodh nëse ai nuk e siguron këtë numër delegatësh dhe kuvendi i partisë hapet pa një kandidat të qartë?

Donald Trumpit i duhet të marrë mbështetjen e shumicës së 2472 delegatëve republikanë. Në se ai nuk siguron para zhvillimit të kuvendit mbështetjen e të paktën 1237 delegatëve, kandidati i zyrtar i partisë do të përcaktohet gjatë ditëve të kuvendit, i cili në këtë rast quhet i hapur dhe zhvillohet në bazë të një numër rregullash disi të ndërlikuara.

Një skenar i tillë u regjistrua për herë të fundit në 1976 kur presidenti i asaj kohe Gerald Ford siguroi fitore përballë kandidatit Ronald Reagan.

E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në 1952 kur Dwight Eisenhower dhe Robert Taft konkurronin në një kuvend të hapur.

Analisti i Institutit Brookings Stephen Hess kujton emocionet e procesit, kur ai ishte djalë i ri dhe po ndiqte kuvendin e republikanëve të vitit 1952 që për herë të parë transmetohej nga televizioni.

“Ishte një rast kur kandidati në zgjedhje nuk erdhi me shumicën e delegatëve që në hapje të kuvendit, por u zgjodh nga kuvendi”.

Aktualisht Donald Trump ka 673 delegatë, senatori Ted Cruz ka 411 dhe guvernatori i Ohajos John Kasich ka 143. Zotit Trump i duhet të fitojë afro 55% të delegatëve që mbeten për të shmangur nevojën për një kuvend të hapur.

Javën e kaluar kryetari i Dhomës së Përfqësuesve Paul Ryan tha se po rriten gjasat për një kuvend të hapur:

“Votuesit në zgjedhjet paraprake do të vendosin se kush do të jetë kandidati republikan. Nëse personi nuk siguron një numër të mjaftueshëm delegatësh, vendimin e marrin delegatët në kuvend”.

Shumë republikanë kanë vënë në pikëpyetje pikëpamjet dhe qëndrimet e kandidatit Donald Trump duke thënë se ai nuk pasqyron parimet e Partisë Republikane. Vetë kreu i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan tha se mund të marrë masa nëse kandidati është një individ që “shfytyron parimet konservatore”.

“Unë, si një ndër udhëheqësit e partisë, por edhe të tjerë, kemi përgjegjësinë të mbrojmë parimet nga shtrembërimi dhe do ta vazhdojmë këtë detyrë”.

Sipas rregullave ekzistuese, në votimin e parë në kuvend, 95% e delegatëve duhet të votojnë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve paraprake në shtetet e tyre. Nëse askush nuk siguron në këtë votim 1237 delegatët e kërkuar, do të zhvillohet një votim i dytë ku një pjesë e madhe e delegatëve janë të lirë të votojnë për cilindo kandidat. Shumë analistë besojnë se edhe delegatët që ka siguruar zoti Trump përmes fitores në zgjedhjet paraprake mund të largohen prej tij pas votimit të parë dhe të votojnë për një kandidat tjetër në votimin e dytë.

Procesi mund të komplikohet edhe më tej nëse partia miraton rregulla të reja para kuvendit.

Vetë Donald Trump është shprehur i sigurtë në fitore:

Donald Trump, kandidat republikan për president

“Mendoj se do ta bëjmë të lehtë procesin; nga ato që shoh nuk mendoj se do të ketë garë gjatë kuvendit”.

Ndryshe nga kuvendet e tjera të hapura, analistët thonë se në ditët tona elektorati republikan nuk tregon të njëjtën gatishmëri për të ndjekur udhëzimet e udhëheqjes së partisë.

Kuvendi republikan zhvillohet në Ohajo më 18-21 korrik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG