Lidhje

Donald Trump dhe rreziku i manipulimeve në zgjedhje


Përkrahësit e kandidatit republikan për president Donald Trump në Pensilvani thonë se anketat që e kanë nxjerrë Hillary Clintonin 8 pikë para kandidatit të tyre të preferuar, janë manipuluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson shkoi në këtë shtet të rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale, për të mësuar më tepër për këtë çështje:

Dita e zgjedhjeve mund të sjellë probleme në Pensilvani, së paku sipas parashikimeve të Donald Trumpit:

“E vetmja arsye që t’i humbasim zgjedhjet në Pensilvani, do të ishte në se bëhen mashtrime me votat".

…Dhe mbështetësi i fuqishëm i zotit Trump, John Larkin e beson këtë:

“Nuk e di se ku bazohen që thonë se Hillary kryeson anketat".

Sipas tij, anketat që e nxjerrin zonjën Clinton në avantazh nuk reflektojnë realitetin.

“Nganjëherë mendoj se bëhen mashtrime me anketat. Me të gjithë njerëzit që flas për politikë, ata mbështesin Trumpin, nuk e kuptoj si shpjegohet që anketat tregojnë të kundërtën,"- thotë Larkin.

Në zyrën e fushatës, vullnetarja Sondra Dull thotë se përkrahësit e zotit

Trump janë duke marrë masa për të mos lejuar manipulime.

“Ka shumë mashtrime. Kur mendojnë se është telefonatë për anketat, njerëzit këtu nuk i përgjigjen, nuk duan të prishin punë, prandaj nuk përgjigjen. Veprojnë në heshtje." - thotë ajo.

Vullnetare si zonja Dull do të vëzhgojnë qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve, pasi Trump publikoi në faqen e tij në Internet një thirrje për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Tricia Cunningham trajnon vullnetarët:

“Jemi duke krijuar një masë njerëzish në të gjithë shtetin që vëzhgojnë, por do të ketë si ata edhe në të gjithë vendin."

Ajo thotë se askush nuk do të arrijë të bëjë mashtrime në zgjedhje:

"Kemi median sociale, kemi internetin. Në këtë zgjedhje ka shumë më tepër transparencë se sa çdo herë tjetër, prandaj jam e bindur që askush nuk ka për të bërë dot mashtrime."

Degët lokale të partisë republikane po planifikojnë si t’i angazhojnë vullnetarët:

“Ata do të angazhohen në komitetet tona lokale. Ne kemi vëzhgues të zgjedhjeve që ndjekin nga afër gjithshka që ndodh dhe nëse vërejnë diçka që nuk shkon, mund të telefonojnë linjën 24-orëshe, apo mund të kontaktojnë për ndihmë ekipin tonë ligjor."- thotë kjo zyrtare partie.

Parashikimi i problemeve mund të parandalojë konfrontimet e pakëndshme tek qendrat e votimit që mund ta vinin në pikëpyetje edhe rezultatin përfundimtar.

Mosbesimi tek sistemi i bën vullnetarët e zotit Trump të thonë se këtë herë ka për të qenë ndryshe:

“Njerëzit kanë për të qenë më të vëmendshëm, kanë për të qenë zgjedhje me shumë intensitet."

Kjo do të thotë se ekziston mundësia që edhe pas Ditës së Zgjedhjeve në nëntor, kontestimi i tyre të vazhdojë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG