Lidhje

Takim i dytë Trump-Romney


Që nga dita e zgjedhjeve më 8 nëntor, zoti Trump ka punuar për të plotësuar postet në kabinetin e tij. Një nga postet më të rëndësishme që ende nuk është plotësuar është ai i Sekretarit të Shtetit dhe një nga emrat që po përmendet si kandidat për këtë post është ai i ish-guvernatorit të Masaçusetsit, Mitt Romney

Zoti Romney ka qenë në të kaluarën një nga kritikët më të ashpër të zotit Trump, por ai e vlerësoi atë pasi hëngrën darkë së bashku të martën dhe tha se kishin kaluar një ,mbrëmje të mrekullueshme”.

“Diskutuam përsëri për gjendjen në botë. Bisedat që kam pasur me të, kanë qenë interesante dhe stimuluese dhe më kanë lënë një përshtypje shumë të mirë. Të gjitha këtomë japin shpresë se një njeri si Donald Trump është personi që do të na çojë drejt një të ardhmeje më të mirë”.

Zoti Trump e kishte thirrur zotin Romney për darkë për të diskutuar për herë të dytë për postin e Sekretarit të Shtetit. Ata ishin së bashku me Reince Priebus, që është emëruar për t’u bërë shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë.

Komentet vlerësuese të zotit Romney vijnë nëntë muaj pasi ai mbajti një fjalim të ashpër, në mbështetje të rivalëve të zotit Trump për emërimin e Partisë Republikane.

Emra të tjerë që janë përmendur si kandidatë për postin e Sekretarit të Shtetit janë ata të ish-kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, Senatorit nga Tenesi, Bob Corker dhe ish-shefit të CIA-s, David Petraeus.

Të mërkurën, një nga ish-drejtuesit e kompanisë Goldman Sachs, Steven Mnuchin u emërua si kandidat për postin e Sekretarit të Thesari, ndërsa miliarderi Wilbur Ross tha se ai ishte zgjedhur për të drejtuar Departamentin e Tregëtisë.

Të martën, zoti Trump zgjodhi kongresmenin Tom Price për të drejtuar Departamentin e Shëndetësisë dhe përpjekjet e administratës së tij për të shfuqizuar dhe zëvendësuar reformën shëndetësore, një nga legjislacionet kryesore të Presidentit Barack Obama.

Ai zgjodhi gjithashtu ish-Sekretaren e Punës, Elaine Chao, si kandidate për të drejtuar Departamentin e Transportit.

Të gjithë kandidatët për poste kabineti, do të duhet të miratohen nga senati.

XS
SM
MD
LG