Lidhje

Votuesit e fshehtë të Donald Trumpit

  • Steve Baragona

Kandidati republikan Donald Trump po fiton terren në anketat e fundit të opinionit ndaj rivales demokrate Hillary Clinton. Mbështetësit e Trumpit thonë se ai ka edhe më shumë përkrahës nga sa nxjerrin anketat. Kjo mund të jetë, siç besojnë disa, sepse një numër i konsiderueshëm i përkrahësve të Trumpit nuk tregojnë se do të votojnë për të.

Sondra Dull është vullnetare me fushatën e Trumpit në perëndim të Pensilvanisë. Ajo thotë se kur anketuesit pyesin, votuesit e Trumpit nuk përgjigjen:

"Ata janë të heshtur. Dhe kështu janë shumica. Ata thjesht nuk pranojnë të flasin."

Dull thotë se ka aq shumë votues të heshtur të Trumpit, sa ai mund t’i fitojë zgjedhjet.

Shumë nga përkrahësit e Trumpit nuk u besojnë anketave, anketuesve apo institucioneve të ndryshme.

Por mund të ketë arsye të tjera përse ata nuk identifikohen. Për disa, votuesit e Trumpit kanë një reputacion negativ.

Megjithëse më pas shprehu keqardhje, kandidatja demokrate Hillary Clinton tha:

"Gjysma e përkrahësve të Trumpit hyn në atë që unë e quaj shporta e mjeranëve. Ata janë racistë, seksistë, homofobë, ksenofobë, islamofobë."

Kështu që nëse dikush i pyet për kë do të votojnë, ata mund të heshtin, thotë përmes Skype-it profesori i shkencave politike Joe Bafumi:

"Ata do të votojnë për atë kandidat në privatësinë e qendrave të votimit. Por nuk do ta pranojnë që do të votojnë për Trumpin kur i pyesin anketuesit."

Diçka e tillë ndodhi në vitet 1980. Tom Bradley ishte afrikano-amerikani i parë që garonte për guvernator në Kaliforni. Ai kishte një diferencë të madhe në anketa, por i humbi zgjedhjet:

"Shumë njerëz argumentojnë se shkaku i humbjes ishte se kishte shumë demokratë të bardhë që thanë se do të votonin për të pasi normalisht demokratët votojnë për kandidatin e tyre. Por kur erdhi koha për të shkuar në qendrat e votimit, ata nuk votuan për zotin Bradley pasi ai ishte afrikano-amerikan. Ata votuan për kandidatin e bardhë."

Gjatë zgjedhjeve paraprake, Trump doli më mirë në anketat online sesa në ato përmes thirrjeve telefonike, ku të anketuarit flisnin me një person real, thotë Courtney Kennedy me qëndrën "Pew Research":

"Njerëzit mund të mos kenë shprehur synimin e tyre se do të votonin për Donald Trumpin gjatë zgjedhjeve paraprake. Megjithatë nuk ka shumë fakte që ta mbështesin këtë argument në zgjedhjet e përgjithshme."

Hendeku mes anketave online dhe atyre të drejtpërdrejta është ngushtuar që nga zgjedhjet paraprake.

Një anketë e fundit e qendrës Pew i pyeti njerëzit sa të gatshëm ishin të diskutonin për cilin kandidat do të votonin.

"Nuk gjetëm ndonjë ndryshim përsa i përket përkrahësve të secilit kandidat që thonë se do të preferonin që të tjerët mos e dinin se cilin kandidat mbështesnin," - thotë zonja Kennedy.

Pra ekspertët thonë se nuk ka të ngjarë që përkrahësit e Trumpit që nuk shprehin mbështetjen e tyre të kenë ndikim në zgjedhje.

Por në se gara vazhdon të ngushtohet, edhe një efekt i vogël mund të jetë i rëndësishëm.

XS
SM
MD
LG