Lidhje

Donald Trump - nuk i ka kërkuar ndjesë Serbisë


Një zyrtar i fushatës së kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se revista serbe ka shpikur intervistën në të cilën thuhet se zoti Trump ka kërkuar ndjesë për bombardimet e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999.

Revista serbe "Nedeljnik" publikoi pjesë nga ajo që ajo thotë se është një intervistë me zotin Trump e zhvilluar nëpërmjet këshilltares Suzanne Ryder Jaworowski, një këshilltare e lartë e zotit Trump dhe menaxhere e fushatës së tij për shtetin e Indianas.

Revista e citonte zotin Trump të ketë thënë se "bombardimi i serbëve, aleatëve tanë në të dyja luftërat botërore, ishte gabim i madh. Serbët janë njerëz shumë të mirë. Për fat të keq, administrata e (Bill) Clintonit u ka bërë shumë të këqija, por edhe gjithë Ballkanit, nga i cili ka krijuar një kaos".

Këshilltari i kandidatit Trump, Jason Miller, shkroi se "zoti Trump asnjëherë nuk i ka dhënë intervistë revistës javore serbe Nedeljnik, siç është raportuar rrejshëm nga Newsweek, dhe as që një intervistë e tillë është zhvilluar nëpërmjet Drejtorit tonë në Indiana. Ky ishte një mashtrim dhe ne presim një tërheqje formale dhe kërkim ndjese nga të gjithë të përfshirët", tha zoti Miller në një deklaratë në faqen zyrtare të fushatës së zotit Trump.

Zonja Jaworowski nga ana e saj tha se intervista nuk është zhvilluar kurrë.

“Nuk ka pasur një intervistë të Trumpit në Serbi", tha ajo. “Nuk e di prej nga doli. Unë asnjëherë nuk kam ndërmjetësuar çfarëdo interviste me ndonjë gazetar serb".

NATO-ja mbron fushatë e bombardimeve të vitit 1999 si një angazhim të saj për të ndërprerë vrasjet masive të shqiptarëve në Kosovë. Serbët dhe Rusia e vlerësojnë fushatën e bombardimeve si akt të pajustifikuar të agresionit ushtarak.

Jaworowski tha se ka takuar së fundmi një burrë me prejardhje serbe, i cili kishte këmbëngulur se do të kandidojë për postin e presidentit në vendin Ballkanik dhe i cili kishte shprehur interesim për të mbështetur fushatën. Ajo e kishte kaluar informatën më tej dhe mbase, mendon ajo, shkëmbimi i saj me të mund të ketë çuar në ato që ajo i quan raportime të rreme.

Jaworowski tha se ka biseduar me zëdhënësen e fushatës së zotit Trump dhe kanë përgatitur një demant për raportimet që mund të publikohet se shpejti.

Buzzfeed New, citonte të enjten botuesin e revistës Nedeljnik, Marko Preleviç, të ketë thënë se "kishim vënë kontakt me fushatën e Trumpit ndërmjet Vladimir Rajçiçit, një serbo-amerikan i afërt me ndihmësit e zotit Trump. Ne i kërkuam nëse mund t'i dërgonim disa pyetje dhe pas disa javësh morëm përgjigjet nga Suzanne Ryder Jaworowski në një email.”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG