Lidhje

Demokratët avancojnë në garën në shtetin Xhorxhia


Demokratët deklaruan një fitore të pjesshme dje në një garë për një vend në kongres, kur presidenca e Donald Trumpit ndodhet ende në fillimet e saj. Gara përfundoi në balotazh, në distriktin e gjashtë të Xhorxhias, në të cilin zoti Trump fitoi me vetëm një për qind më shumë vitin e kaluar. Zgjedhjet në këtë zonë u zhvilluan për shkak të vendit bosh të krijuar në Kongres, nga emërimi i ish ligjvenësit Tom Price si Sekretar i Shëndetsisë. Korrespondetja e “Zërit të Amerikës” Katherine Gypson njofton nga Xhorxhia për rëndësinë që mund të ketë kjo garë në nivel kombëtar.

Demokratët deklaruan fitoren në një provë të vështirë për ta, që po ndiqet me vëmendje nga “Shtëpia e Bardhë”.

"Tejkaluam çdo parashikim. Ne po ndryshojmë botën dhe zërat tuaj do të dëgjohen jo vetëm këtu, por edhe në të gjithë vendin", tha kandidati demokrat Jon Ossoff.

Ndryshimi nisi në këto lagje periferike, falë një ndihme të jashtëzakonshme financiare prej 8.3 milionë dollarësh dhe një ushtrie vullnetarësh. Ata po kërkonin mundësi për të mundur Trumpin edhe pse emri i tij nuk ishte në fletën e votimit.

"Kemi gjetur njerëz të zemëruar dhe të shqetësuar në lidhje me politikat e Trumpit dhe kjo është e vetmja garë që zhvillohet në gjithë skenën kombëtare për tani", thotë Jen Cox.

Aktivistet demokrate si Cox e shohin punën e tyre këtu në distriktin e gjashtë të Xhorxhias, si model të mundshëm për t’u zbatuar gjatë zgjedhjeve për në Kongres në vitin 2018. Ato synojnë të përdorin një reagim të ashpër anti-Trump për të marrë përsëri kontrollin e Kongresit.

Presidenti Trump e konsideroi balotazhin një fitore për republikanët, duke thënë se thirrja që u bëri ai votuesve në “Twitter” si dhe një thirrje me një mesah të regjistruar para hapjes së kutive të votimit ..."Vetëm ju mund t’i ndaloni demokratët super-liberalë", ishin ato që ndikuan, që kandidati demokrat Ossoff nuk ja doli të sigurojë shumicën e nevojshme për një fitore të drejtëpërdrejtë.

Nga disa kandidatë republikanë që morën pjesë, në balotazh do të shkojë republikania e moderuar Karen Handel, e cila është shumë e favorizuar për të fituar këtë zone,e cila që prej vitit 1970, nuk ka dërguar një demokrat në Kongres.

Dhe tani që ajo është kandidatja e vetme republikane, pritet që Presidenti Trump të udhëtojë drejt Xhorxhias për ta mbështetur atë.

"Ardhja e Donald Trumpit në qytet mund të jetë ngjarja më e madhe që mund të ndodhë për zgjedhjet e kongresit në vite", thotë Todd Rehm, hartues i politikave republikane.

Kjo është një garë për vetëm një nga 435 vendet e Kongresit, por shihet si një tregues në nivel kombëtar për të dyja palët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG