Lidhje

Trump: Obama dhe Clinton themelues të ISIS


Kandidati republikan për president, Donald Trump i shkallëzoi kritikat ndaj politikave të presidentit Barack Obama në Irak dhe Siri, duke e quajtur zotin Obama "themeluesin" e grupit terrorist Shteti Islamik.

Ndërsa për kandidaten demokrate për presidente Hillary Clinton, ai tha se ajo është bashkë-themeluese e shtetit islamik.

Zoti Trump ka akuzuar edhe më parë zonjën Clinton se ka mbështetur politika që çuan në krijimin e grupit terrorist. Por zoti Trump i thelloi dje kritikat e tij ndaj administratës duke thënë gjithashtu se Shteti Islamik në shumë aspekte, e nderon presidentin Obama.

I pyetur sot nga rrjeti CNBC, zoti Trump i përsëriti komentet dhe i lidhi ato me kundërshtimet që ai ka patur ndaj luftës në Irak. Zonja Clinton votoi për luftën në Irak, kur ishte senatore, ndërsa zoti Obama, i cili nuk ishte në Kongres në atë kohë, e kundërshtoi publikisht ndërhyrjen amerikane.

Ndërhyrja ushtarake në Irak e udhëhequr nga SHBA është parë gjerësisht si një luftë destabilizues që shkaktoi krizën aktuale në Siri. Disa republikanë kanë kritikuar Presidentin Obama dhe zonjën Clinton se nuk kanë qenë sa duhet agresivë për të sulmuar grupin Shteti Islamik, kur ai po merrte territore në Irak dhe Siri dy vjet më parë. Por asnjë republikan në nivele të larta politike nuk ka shkuar deri aty sa të akuzojë Presidentin Obama për themelimin e grupit.

Deklaratat e zotit Trump dhe sulmet e tij të hapura ndaj kundërshtarëve tij politikë e kanë përçarë partinë Republikane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG