Lidhje

Spekulime mbi tonin e zbutur të Presidentit Trump


Menjëherë pas fjalimit të Presidentit Trump para Kongresit, Uashingtoni filloi të komentonte mbi tonin e tij më të zbutur, e më optimist. Tani përkrahësit dhe kritikët e presidentit, si dhe analistët po japin parashikimet e tyre nëse ky ndryshim toni pritet të vazhdojë apo ishte një episod i shkëputur. Ndërkohë, Kongresi fillon analizën e vështirë të planeve ambicioze të administratës së presidentit Trump:

Presidenti Trump do të takohet me udhëheqës republikanë të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar si do të vihet në jetë axhenda e tij ambicioze.

“Jemi këtu për të filluar procesin. Ky proces fillon tani dhe mendojmë se do të kemi sukses të jashtëzakonshëm,” - tha Presidenti Trump.

Presidenti ka marrë vlerësime pozitive për fjalimin e së martës para Kongresit, veçanërisht për tonin e tij më të butë dhe optimist.

“U bëj thirrje të gjithëve që po na ndjekin sonte, ta shfrytëzojnë këtë moment, të kenë besim tek vetja, tek e ardhmja dhe të kenë përsëri besim tek Amerika,” - tha presidenti.

Ishte një sjellje presidenciale nga një president që duhej të dëshmonte një sjellje të tillë, thotë analisti Jeremy Mayer përmes Skype-it:

“Është fjalimi më i mirë që kam dëgjuar prej tij. Unë e kam ndjekur me kujdes Donald Trumpin. Kishte një frymë kompromisi, qetësie, një ton bashkëpunimi që nuk e gjen shpesh në fjalimet e Donald Trumpit”.

Ndryshimi i tonit të Donald Trumpit mund të jetë i dobishëm kur të fillojë beteja e vështirë me Kongresin për programet e kujdesit shëndetësor dhe reformat fiskale, thotë analisti John Fortier:

“Shumë nga hollësitë, shumë faza specifike të miratimit të një politike janë të paqarta për të. Prandaj do të ishte me vend që ai të tregonte se di të sillet si udhëheqës, se ka gjetur një mënyrë për të bashkëpunuar me republikanët, të cilët janë në anën e tij përgjithësisht, por megjithatë ka shumë pengesa përpara”.

Por shumë demokratë mbeten skeptikë, përfshirë Senatorin Chuck Schumer:

“Fjalimet e tij gjithmonë janë plotësisht të shkëputura nga realiteti. Ai u flet punëtorëve amerikanë. Ata ishin grupimi kryesor që votoi për të. Por mënyra si po qeveris ka qenë plotësisht në anën e grupeve të djathta larg qendrës, e grupeve të interesit kundër interesave të shtresës punëtore”.

Dy anketa të reja treguan se votuesit reaguan pozitivisht ndaj fjalimit, gjë që i nevojitej presidentit thotë eksperti James Thurber:

“Ai është në nivelin më të ulët të mbështetjes për një president të ri, më i ulëti që nga koha e Ajzenhaurit kur filluam të masim popullaritetin”.

Republikanët dhe demokratët po spekulojnë nëse ky ton më i butë, kjo sjellje më e disiplinuar nga zoti Trump do të vazhdojë, thotë analisti Mayer:

“Ai tregoi në fjalimin e së martës se është në gjendje ta bëjë këtë punë, se mund të sillet si i takon një presidenti. Por që realisht ta bëjë punën, kjo mbetet për t’u parë”.

Sjellja dhe toni i tij në të ardhmen do të ndikojnë edhe tek marrëdhëniet me Kongresin dhe e ardhmja e planit të tij ambicioz.

XS
SM
MD
LG