Lidhje

Politikat tregtare të Donald Trump-it


Donald Trump – kandidati i pritshëm presidencial republikan ka folur me një gjuhë të ashpër ndaj partnerëve tregëtarë të Shteteve të Bashkuara, madje duke i kërcënuar edhe për pasoja. Ai kërkon të detyrojë Meksikën të paguajë për ngritjen e një muri në kufi me Amerikën dhe po kërcënon të vendosë tarifa të larta mbi importet kineze për të balancuar deficitin tregëtar rekord prej 366 miliardë dollarësh mes të dy vendeve. Trump e quan këtë “fitore” por ekonomistët që folën me Zërin e Amerikës thonë se politikat tregëtare mund të jenë recetë për katastrofë.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara blenë gati 500 miliardë dollarë mallra të prodhuara në Kinë, por Kina bleu vetëm 116 miliardë dollarë prodhdime amerikane. Për të zgjidhur këtë disbalancë, Trump kërkon të rrisë tarifat mbi mallrat kineze me gati 45 për qind:

“Ne kemi 500 miliardë dollarë deficit me Kinën, dhe kemi për ta ndryshuar këtë. Ne kemi epërsi. Mos harroni; jemi si një arkë kursimi që vazhdon të vidhet”, thotë Donald Trump.

Ky është një propozim i guximshëm për mbështetësit e Trumpit dhe për miliona amerikanë që kanë humbur vendet e punës ndaj punonjësve të paguar më pak në Kinë. Por ekspertë të politikave tregëtare si Gordon Hanson thonë se ky propozim nuk ka kuptim në realitetin e sotëm ekonomik.

“Ai e bën këtë thjesht për politikë, pasi bazat ekonomike të një propozimi të tillë nuk qëndrojnë aspak”, thotë analisti Gordon Hanson.

Jo vetëm që tarifa prej 45 për qind mbi mallrat kineze do të jetë e paligjshme, sipas ligjeve të tanishtme të Organizatës Botërore të Tregëtisë, por ekonomistët thonë se kundërpërgjigja e mundshme mund të jetë e kushtueshme:

“Në se kufizon importet nga një vend i vetëm si Kina, këto importe do të vijnë në shumicën e rasteve nga vende të tjera", - thotë ekonomisti C.Fred Bergsten.

Ish ekonomisti i Bankës Botërore Chad Bown paralajmëron se një politikë e tillë do të sillte një luftë tregëtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës:

“Kina ka treguar gjatë viteve të fundit se në çdo rast që një vend ka vendosur barriera të reja tregëtare mbi eksportet e saj, ajo është përgjigjur me të njëjtën gjuhë, në mënyrë të ligjshme ose jo. Por për atë që propozon Donald Trumpi ajo mund të kundërpërgjigjet sipas rregullave të OBT-së”, thotë Chad Bown me Institutin Peterson.

Por Trumpi insiston se kritikët e tij po anashkalojnë argumentin:

"Keni për të kthyer kokën prapa dhe do të thoni – filluam të fitojmë përsëri kur Trumpi mori pushtetin dhe kemi për të vazhduar të fitojmë”, thotë Donald Trump.

Por në vend të fitores, këta ekonomistë thonë se politikat proteksioniste ka më shumë të ngjarë të rezultojnë në më pak tregëti dhe besim mes partnerëve.

XS
SM
MD
LG