Lidhje

Trump nesër shpall kandidatin për nënpresident


Kandidati republikan Trump tha në Twitter se ai do ta bëjë njoftimin të premten në orën 11 paradite në Nju Jork.

Ndër zgjedhjet e tij të mundshme janë Guvernatori i Indianës Mike Pence, i cili ishte i pranishëm në një takim për mbledhje fondesh me zotin Trump të martën, ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Njut Gingriç, dhe Guvernatori i Nju Xhersit Kris Kristi. Guvernatori Kristi, ish-rivali i zotit Trump për kandidat presidencial, shpalli mbështetjen e tij për manjatin pasi vetë u tërhoq nga gara përesidenciale para disa muajsh.

Disa media, duke përfshirë U.S. News & World Report dhe Politico, thonë se Pence ose Gingriç janë kandiatët kryesorë.

Paul Manafort, menaxher i fushatës së z. Trump mbështet guvernatorin Pence, sipas revistës së lajmeve U.S. News. Burime nga fushata e z.Trump i thanë revistës se ish kongresmeni shihet si njeri i besueshëm dhe i respektuar, por “edhe si njeri që mund të kontrollohet”.

Megjithatë, duket se fëmijët e z.Trump, si dhe bashkëshorti i Ivanka Trump, Jared Kushner, preferojnë z.Gingriç, sipas kompanisë mediatike Politico, e cila citon burime nga fushata e zotit Trump.

Ndërsa kandidati republikan lavdëroi guvernatorin Kristi në Fox News. Z. Trump dhe guvernatori Kristi kanë kohë që e njohin njëri-tjetrin:

“Kris Kristi është dikush për të cilin kam patur respekt për një kohë të gjatë”, i tha z. Trump gazetarit Bret Baier. “Ai është një profesionist i gjithanshëm. Është njeri i mirë. Shumë njerëz nuk e kuptojnë këtë”.

Z. Kushner, i cili luan një rol të rëndësishëm prapa skenave në fushatën e kandidatit Trump, nuk e pëlqen z.Kristi, sepse kur Kris Kristi ishte prokuror federal, dënoi me burgim babain e tij Çarles Kushner një dekadë më parë. Çarles Kushner pranoi se ishte fajtor për 18 akuza për kontribute të jashtëligjshme ndaj disa fushatave elektorale, evazione fiskale dhe përzierje me dëshmitarë në vitin 2005. Ai u dënua me dy vjet burg pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë të negociuar nga Kris Kristi.

Një burim anonim nga fushata, i cituar nga Politico, tha se “Z. Trump do ta bëjë vetë zgjedhjen e tij.”

Konventa Kombëtare Republikane do të mbahet javën e ardhshme më 18 deri në 21 korrik në Klivlend.

Kandidatja e pritshme presidenciale e Partisë Demokratike, Hillari Klinton po interviston gjithashtu politikanë për kandidatë për zëvendës president. Ajo pritet ta shpallë vendimin e saj javën e ardhshme.

Ndër të përmendurit është senatori nga Virxhinia Tim Kaine.

Burime nga rrethi i brendshëm i zonjës Klinton i thanë gazetës The Hill të mërkurën se z.Kaine “plotëson të gjitha kërkesat” si kandidat për nënpresident: një zëvendësues i fuqishëm në fushatë, por dikush me të cilin zonja Klinton sheh se mund të bashkëpunojë.

Në listën janë gjithashtu senatorja nga shteti Masaçusets Elizabeth Uarren, Sekretari i Punës Tom Perez, senatori nga Nju Xhersi Cory Booker dhe Sekretari i Strehimit Julian Kastro.

Zëdhënës nga fushata e zonjës Klinton thanë gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidaturën e admiralit të Marinës Xhejms Stavridis, dekan i Shkollës Fletcher për Drejtësi dhe Diplomaci në Universitetin Tufts afër Bostonit dhe ish-komandant suprem i NATO-s.

Kuvendi Kombëtar Demokrat zhvillohet më 25-28 korrik në Filadelfia.

XS
SM
MD
LG