Lidhje

Drejtori i FBI-së hedh poshtë pretendimet për përgjimin e Presidentit Trump


Drejtori i FBI-së James Comey e hodhi poshtë pretendimin përmes twitter-it të Presidentit Donald Trump se ish presidenti Barak Obama e kishte përgjuar disa javë para zgjedhjeve presidenciale.

Ai po ashtu konfirmoi se agjencia e drejtuar prej tij është duke zhvilluar një hetim në se pjesëtarë të fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar me rusët, me synimin për ta ndihmuar zotin Trump t’i fitonte zgjedhjet, një veprimtari që mund të cilësohet si komplot kriminal në interes të rusëve.

"Ne nuk kemi informacione që t’i mbështesin twitet e zotit Trump, sipas të cilave Presidenti Obama ka përgjuar Kullën Trump në Nju Jork,” - u tha zoti Comey të hënën anëtarëve të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqëseusve.

James Comey, Drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, që është Agjencia kryesore e hetimeve kriminale në Shtetet e Bashkuara, i tha Komisionit se për shkak të një hetimi sekret që është duke u zhvilluar, mbi mundësinë e përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, ai nuk mund të jepte informacione të tjera për këtë çështje.

Por zoti Comey tha se atë e ka autorizuar Departamenti i Drejtësisë që të konfirmojë se hetimi i FBI-së “përfshin hetimin mbi lidhjet që kanë patur individë të fushatës së zotit Trump me qeverinë ruse, si dhe në se ka patur ndonjë lidhje mes fushatës dhe përpjekjeve të Rusisë.”

Dëshmia dramatike e zotit Comey vjen disa orë pasi Presidenti Trump u tall me çdo sugjerim se fushata e tij kishte komplotuar me interesat ruse për ta ndihmuar atë të fitonte garën për në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se ky ishte një justifikim “i trilluar nga demokratët” që i humbën zgjedhjet presidenciale.

Pas deklaratës së shefit të FBI-së zëdhënësi i Shqëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se Presidenti Trump nuk ka ndërmend të tërhiqet nga akuzat se e kanë përgjuar.

Për këtë çështje ka filluar një seancë dëshmish, e cila po vazhdon. Ka ende shumë çështje të paqarta. Ka një numër të madh informacionesh që mbeten për t’u diskutuar,” tha zëdhënësi Spicer.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG