Lidhje

Bota reagon ndaj fjalimit të Presidentit Trump në Kongres

  • Henry Ridgwell

Udhëheqësit botërorë ndoqën me vëmendje fjalimin e parë të Presidentit amerikan Donald Trump në Kongres. Zoti Trump foli për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe planin e tij për të ndërtuar një sistem të ri të tregtisë globale.

Fjalimi i presidentit Trump i drejtohej një audience të brendshme, me premtimet e shpeshta për t’u përqendruar tek Amerika, por e gjithë bota e ndoqi atë me interes.

“Ne ndajmë me aleatët në gjithë globin idenë e një udhëheqjeje amerikane, mbështetur në interesa jetike sigurie. Ne mbështesim fuqimisht NATO-n, një aleancë e konsoliduar përmes lidhjeve të dy Luftrave Botërore që përmbysën fashizmin dhe një Lufte të Ftohtë që mundi komunizmin. Por partnerët tanë duhet të plotësojnë detyrimet e tyre financiare”, tha Presidenti Trump.

Zbutja e tonit ishte e mirëpritur, thotë Ian Bond i Qendrës për Reformë Evropiane me seli në Londër. Ai foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“Ai nuk tha përsëri se NATO-s i ka ikur koha. Megjithatë, ai vazhdon të flasë për vendet e NATO-s që duhet të paguajnë faturat, sikur Amerika të jetë ndonjë shërbim truprojash”, tha zoti Bond.

Presidenti Trump premtoi rritjen më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen në historinë e Amerikës:

“Mendoj se edhe shumë republikanë po i thonë se është gabim të shkurtosh ndihmën amerikane për zhvillimin jashtë vendit dhe buxhetin e Departamentit të Shtetit, për të financuar këtë rritje të madhe në shpenzimet ushtarake”, tha zoti Bond.

Një reduktim i angazhimit amerikan jashtë vendit, mund të shihet si një mundësi për ekonominë e dytë më të madhe të botës, thotë David Kelly, drejtor kërkimesh në organizatën “Politikat e Kinës”, me qendër në Pekin.

“Edhe një herë, zoti Trump po krijon hapësira për Kinën, që në një farë kuptimi mund të shfrytëzohen në drejtimin diplomatik”.

Presidenti Trump përmendi veçanërisht Pekinin, ndërsa përsëriti akuzat se sistemet e tregtisë globale nuk janë në të mirë të Amerikës.

“Kemi humbur 60 mijë fabrika që kur Kina hyri në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001”.

Zoti Trump nuk e përmendi direkt urdhrin ekzekutiv për ndalimin e udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane që u bllokua nga gjykatat.

Përveç premtimit për të shfarosur organizatën terroriste Shteti Islamik, ai nuk e përmendi Afrikën, një nga përparësitë e ish-presidentit Barack Obama.

“Nuk kemi parë asnjë sinjal muajin e parë të kësaj administrate se si do të jetë politika për Afrikën. Nuk ka ende një ndihmës Sekretar Shteti për atë rajon. Shumë poste ambasadorësh janë të zbrazëta, përfshirë atë të Afrikës së Jugut”, thotë Steven Gruzd i Institutit afrikano-jugor për Çështje Ndërkombëtar.

Toni më i matur i fjalimit, në përgjithësi është mirëpritur. Por analistët thonë se shumë udhëheqës botërorë duan më shumë detaje për politikat lidhur me premtimin e Presidentit Trump për “një kapitull të ri të madhështisë amerikane”.

XS
SM
MD
LG