Lidhje

25 vjet pas largimit të trupave sovjetike nga Afganistani


Kjo javë shënon 25 vjetorin e tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani. Në prag të largimit të forcave amerikane që pritet të realizohet deri nga fundi i këtij viti, shtrohen pyetje rreth mësimeve të dala nga tëheqja e trupave sovjetike në vitin 1989.
Këtë vit trupat luftarake amerikane do të tërhiqen pas luftës më të gjatë në historinë e Amerikës. Por ndërkohë që trupat përgatiten të largohen nga Afganistani, po shtohet shqetësimi se vendi i shkatërruar nga lufta, mund të mbetet në gjendje po aq të keqe sikurse e lanë trupat sovjetike 25 vjet të shkuara. Michael O’Hanlon me Institutin Brookings thotë se nuk duhen bërë paralelizma.

“Nuk ka ngjashmëri as në fillimin e luftës dhe as në ecurinë e saj. Shtetet e Bashkuara si pjesë e koalicionit janë në vitin e pestë të reduktimit gradual të forcave në Afganistan. Nga ana tjetër, sovjetikët arritën në përfundimin se kishin humbur dhe u larguan”.

Pas largimit të sovjetikëve, Afganistani u zhyt në luftë të përgjakshme civile. Sot, Afganistani është në gjendje më të mirë sesa 25 vjet më parë, thotë Ahmad Majidyar, me Institutin Amerikan Enterprise këtu në Uashington.

“Është hera e parë që Afganistani ka një qeveri të zgjedhur ndërkohë që gjatë kohës sovjetike, udhëheqësit afganë ishin të caktuar nga Kremlini. Ndryshimi i dytë kryesor është se kryengritja është tejet e kufizuar krahasuar me kryengritjen Muxhahedin në vitet 1980. Mund të ketë deri në 25 luftëtarë aktivë talibanë, ndërsa në vitet 80 ky numër e tejkalonte 100 mijëshin”.

Bota ka nxjerrë një mësim të rendësishëm që nga largimi i sovjetikëve nga Afganistani, thotë zoti O’Hanlon.

“Mësimi i parë që nxorën amerikanët është pas 11 shtatorit 2011, se ne nuk mund të lëmë pas dore apo braktisim Afganistanin. Sepse pas largimit të sovjetikëve, ne nuk i kushtuam vëmendje dhe deri nga fundi viteve 90-të, Amerika la pas dore Afganistanin që përjetoi një konflikt sektar, anarki dhe pastaj ardhja e talibanëve dhe kthimi në strehë për terroristët”.

Ndërkohë që angazhimi ndërkombëtar mbetet i rendësishëm për të ndihmuar qeverinë afgane, populli i atij vendi duhet të bashkohet për shpëtuar strukturën politike që gëzojnë, thotë zoti Majidyar.

“Talebanët nuk kanë aftësitë të marrin pushtetin apo rimarrin Kabulin. Mësymja e armatosur talebane nuk është kërcënimi i vërtetë pas tërheqjes së NATO-s, por qëndrueshmëria e isntitucioneve afgane”.

Ndërsa disa ekspertë besojnë se nuk ka ngjashmëri mes largimit të trupave sovjetike nga Afganistani dhe trupave amerikane në ditët e sotme, ata pajtohen se bota nuk mund të lejojë atë vend të kthehet edhe një herë në strehë të sigurtë për terroristët.
XS
SM
MD
LG