Lidhje

Reagimi i trurit ndaj dhimbjes


Dhimbja mund të përfaqësojë, ose jo, një gjendje mendore, por sipas shkencëtarëve ajo është qartësisht e pranishme në tru. Ata mendojnë se dinë saktësisht se cila pjesë e trurit është përgjegjëse për dhimbjen, duke shpresuar të zgjidhin kështu një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen mjekësia.

Mund të ngjasojë si terapi qetësuese, por nuk është aspak e tillë. Ky krem që po vendoset në këmbën e studentit Min Ho përmban kapsaicinë, e njëjta lëndë që shton djegësirën e specave djegës. Ky eksperiment që po zhvillohet në Universitetin e Oksfordit, u ka treguar shkencëtarëve jo vetëm mënyrën se si e përjetojmë dhimbjen, por edhe se ku e ndjejmë atë. Studenti i mjekësisë Lee merr pjesë vullnetarisht në këtë studim, i cili synon të lehtësojë jetën e pacientëve që ndjejnë dhimbje të forta.

Ilaçet dhe terapitë që përdoren për të ulur dhimbjen, japin vetëm efekte lehtësuese të përkohshme, dhe mund të kenë madje efekte anësore të rrezikshme.

“Dhimbja më e madhe që kam përjetuar ka qenë në moshën 14-vjeçare. Kjo lënda kapsaicinë, nuk e di se çfarë efekti ka. Më thanë që është përbërësi kryesor i specave djegës. Të shohim si do të shkojë.”

Kur përjeton dhimbje, është një proçes kompleks, të cilin është e vështirë ta zbërthesh. Dhimbja është rezultat i një numër perceptimesh. Një traumë e kaluar në fëmijëri, ose dhe diçka e sapondodhur ditët e fundit, mund të ngjallë ankth, madje edhe marrje mendsh që i shtohen përjetimit të ri. Megjithëse është ditur prej kohësh se sinjalet e dhimbjes i dërgohen trurit, ai mbetet një organ shumë i komplikuar. Ekipi po kryen këtë eksperiment për të përcaktuar saktësisht qendrën e dhimbjes në tru. Metoda që ata përdorin shtrihet në disa orë mbledhjeje informacioni nga çdo reagim.

Brenda skanerit MRI, pacienti lidhet me sensorë në mënyrë që neurologu Andy Segerdahl dhe ekipi i tij të munden të regjistrojnë gjithçka ndodh.

“Të gjitha neuronet e asaj pjese të trurit sinjalizojnë vazhdimisht për sa kohë që vazhdon dhimbja, duke kërkuar dhe furnizim të ri me gjak dhe oksigjen të asaj pjese të trurit. Duke gjurmuar këtë imazheri, vetë ky sinjal metabolizmi është burimi ynë kryesor.”

Ekipi ka përmbyllur tashmë një eksperiment fillestar që përmbledh aktivitetin në tru të 17 vullnetarëve. Gjatë eksperimentit shtohet edhe më shumë intensiteti i dhimbjes.

“Vatra të caktuara të trurit janë përgjegjëse për aktivitetin e shtuar të neuroneve. Kur personi vuan dhimbje të madhe, vatra në fjalë e trurit është në flakë.”

Gjetjet e eksperimentit jo vetëm do të ndihmojnë mjekët në përcaktimin e ilaçeve të duhura, por do të përmirësojnë dhe trajtimin p.sh. të foshnjave, apo pacientëve në koma, të cilët nuk mund të rrëfejnë për dhimbjen që ndjejnë.

Hapi i ardhshëm i këtij eksperimenti do të jetë “fikja” e ndjesisë së vatrës në fjalë të trurit që përjeton dhimbjen. Deri atëherë, vullnetarët si Lee, shpresojnë se janë duke kontribuar për mjekimin e pacientëve.

XS
SM
MD
LG