Lidhje

Prokurorët: Dënim me vdekje për Tsarnaev


Prokurorët amerikanë do të kërkojnë dënimin me vdekje kundër të dyshuarit për sulmin terrorist në Maratonën e Bostonit vitin e kaluar.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan Eric Holder, njoftoi dje se qeveria do të kërkonte ekzekutimin e 20 vjeçarit Dzhokhar Tsarnaev, nëse ai shpallet fajtor. Tsarnaev akuzohet se aktivizoi dy bomba artizanale në garën vjetore, duke shkaktuar vdekjen e tre vetëve dhe plagosjen e mbi 260 të tjerëve.

Qeveria federale rrallë herë kërkon dënime me vdekje dhe vetëm 3 vetë janë ekzekutuar që nga viti 1988, kur mbaroi një moratorium mbi ekzekutimet. Zoti Holder tha se “sjellja e të pandehurit në këtë çështje dhe dëmet në njerëz si rezultat i saj” ishin motivimi për të kërkuar dënimin me vdekje.

Prokurorët argumentojnë se Tsarnaev, në atë kohë 19 vjeç, dhe i vëllai, 26-vjeçari Tamerlan Tsarnaev, të dy me origjinë çeçene dhe me banim në Shtetet e Bashkuara prej më se 10 vjetësh, prodhuan bombat dhe planifikuan sulme në vijën e finishit si hakmarrje për veprimet ushtarake amerikane në vende myslimane.

Ende nuk është caktuar data për gjyqin e Tsarnaevit, mbi të cilin rëndojnë 30 akuza, përfshirë akuzën për përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë.

Tamerlan Tsarnaev u vra në shkëmbim zjarri me policinë, pak ditë pas shpërthimit. Pas një operacioni masiv të forcave të rendit, Dzhokhar Tsarnaev u gjet i fshehur në një varkë në oborrin e një banese private në rrethinat e Bostonit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG