Lidhje

Pas vendimit, në pritje të dënimit për Tsarnaev


Pasi shpallën dje fajtor imigrantin çeçen Dzhokhar Tsarnaev për sulmet vdekjeprurëse me bombë në maratonën e Bostonit të vitit 2013, anëtarët e jurisë pritet të marrin pas disa ditësh vendimin nëse do ta dënojnë atë me vdekje, apo me burgim të përjetshëm.

21-veçari Tsarnaev u gjet dje fajtor për të 30 akuzat e ngritura ndaj tij, mes tyre 17 që parashikojnë dënimin e tij me vdekje. Faza tjetër e gjyqit, ajo e shpalljes së dënimit, pritet të fillojë javën e ardhshme në të njëjtën gjykatë federale.

Dënimi me vdekje kërkon që të gjithë anëtarët e jurisë të votojnë unanimisht për të.

Avokatët e tij e pranuan që në fillim të gjyqit se Dzhokhar ishte përfshirë në komplotin për vendosjen e dy bombave pranë vijës së finishit të maratonës së përvitshme. Si rezultat i shpërthimit të bombave artizanele, të vendosura në tenxhere me presion, u vrarë tre persona, mes tyre një djalë 8-vjeçar dhe u plagosën 264 të tjerë, 17 prej të cilëve humbën gjymtyrët.

Por avokatët argumentuan se organizori i sulmit ishte vëllai i madh i të pandehurit, 26-vjeçari Tamerlan Tsarnaev. Avokatja mbrojtëse Judy Clarke, e cila më parë ka patur sukses në çështje të tjera gjyqësore, duke i shpëtuar nga vdekja klientët të saj të akuzuar për vrasje, i tha trupit gjykues gjatë paraqitjes së argumenteve përfundimtare, se “ në se nuk do të kishte qenë vëllai i madh, sulmet vdekjeprurëse nuk do të kishin ndodhur”.

XS
SM
MD
LG