Lidhje

Kryeministri Rama komenton zgjedhjet greke


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama uroi me një mesazh kyeministrin e ri grek Tsipras, i cili sapo ftoi zgjedhjet në Athinë. Zoti Rama deklaroi gjatë një bisede televizive në televizionin Top Channel se fitorja e Tsipras “është një zgjedhje e lirë e popullit grek, për shkak të një stërlodhjeje nga politika shumë e shtrënguar monetare dhe njëkohësisht edhe nga një klasë politike që u ezaurua për shkak të krizës që provokoi vetë në vite dhe sot, si majtas dhe djathtas, flas për të majtën e të djathtën tradicionale, paguan faturën e asaj që mbolli për vite të tëra buzuqi”.

Nga ana tjetër, zoti Rama tha se miku i tij Papandreu pati fatkeqësinë të gjendej në krye të vendit në një moment kur nuk mbante më asnjë pikë ujë pilafi i madh grek, i gatuar me vite të tëra mashtrimesh statistikore dhe mbingarkese të burokracisë, plus edhe abuzime të mëdha.

Lidhur me zhvillmet e brendshme politike, kryeministri Rama foli edhe për marrëdhëniet e tij me opozitën dhe presidenti Bujar Nishani. Ai tha se shumica synon të hapë një faqe të re në historinë e marrëdhënie institucionale mes Qeverisë dhe Presidentit. “Kemi pasur kapituj jashtëzakonisht të shëmtuar ku nga selia e qeverisë është qëlluar me baltë mbi figurën e Presidentit, gjë që është tërësisht e pamundur të imagjinohet në një vend europian. Sot kemi një President që qëllon Qeverinë, herë me baltë, herë me pambuk. Por ne duam t’i japim fund kësaj kulture bashkëjetese dhe bashkëpunimi mes institucioneve” - theksoi zoti Rama, duke shtuar se shumica nuk është e detyruar të bjerë dakord për çdo gjë me Presidentin, por ndjen detyrën të jetë etike në marrëdhënie me të, si një institucion dhe figurë qendrore, kushtetuese të shtetit.

Ai tha se vërtet nuk ka rënë rasti t’i jap dorën kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por nuk e ka problem ta bëjë këtë. “Nuk ka të krahasuar raporti institucional dhe kushtetues me autoritetin e kreut të shtetit, me raportin me kryetarin e opozitës, apo mes kryetarit të opozitës dhe Kryeministrit. Janë gjëra të ndryshme” - tha ai.

Lidhur me punën e policisë, zoti Rama theksoi se qeveria është krenare që brenda një viti e ktheu Shqipërinë nga një vend të njollosur, që prodhonte drogë ditën për diell, në një vend që sot admirohet nga partnerët ndërkombëtarë për luftën e vendosur kundër krimit dhe kundër drogës, në mënyrë të veçantë. Laboratori i përpunimit të drogës në Elbasan, sipas tij, është u zbulua nga policia shqiptare, por për paradoks, qeveria akuzohet pse po kap drogën, dhe akuzohet si bashkëfajtore me trafikantët pse po i kap ata.

“Edhe sikur ata të ishin pjesë e familjes sonë politike, apo edhe pjesë e parlamentit, unë do të isha dyfish krenar që Qeveria dhe Policia e Shtetit nuk bën dallime dhe nuk fal askënd, nuk kërcënojnë dëshmitarët që të mos dëshmojnë, siç ndodhte deri dje, por kush i del përpara ballafaqohet dhe i vë prangat” tha kryeministri i Shqipërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG