Lidhje

Përkujtohet 10-vjetori i cunamit


Në mbarë Azinë u zhvilluan ceremoni përkujtimore dhe fetare me rastin e 10 vjetorit të cunamit të fuqishëm në Oqeanin Indian, që shkaktoi 220 mijë të vrarë në vitin 2004.

Vala gjigande goditi 12 vende që lagen nga ky oqean, duke shkatërruar komunitete bregdetare, duke zhdukur familje të tëra dhe plazhe të mbushura me turistë në mëngjesin pas ditës së Krishtlindjeve.

Kjo fatkeqësi u shkaktua nga një tërmet me fuqi 9,1 ballë, më i fuqishmi në rajon në 40 vjet, i cili shkaktoi dallgë gjigande në Oqeanin Indian, me shpejtësinë e një avioni reaktiv, të cilat u ndjenë deri në Afrikën Lindore. Stuhia ishte kaq e fuqishme, saqë shkaktoi zhvendosjen me disa centimetra të boshtit të Tokës.

Një nga rajonet më të goditura ishte provinca Aceh e Idonezisë, ku u mbajt një ceremoni. Nënpresidenti indonesian Jusuf Kalla kujtoi me këtë rast solidaritetin e treguar nga e gjithë bota pas tragjedisë.

Shumë nga rajonet e goditura nga cunami ishin të pazhvilluara dhe e patën tepër të vështirë rimëkëmbjen nga fatkeqësia. Për përpjekjet e shpëtimit dhe të rindërtimit u grumbulluan 13 miliardë dollarë ndihma.

XS
SM
MD
LG