Lidhje

Tubim proteste para parlamentit kundër importit të plehrave


Tubim proteste para parlamentit kundër importit të plehrave

Tubim proteste para parlamentit kundër importit të plehrave

Një grup veprimtarësh të organizatës “Kuvendi Civil” dhe të disa shoqatave mjedisore zhvilluan një protestë para parlamentit kundër importimit të plehrave, sic parashikon ligji për trajtimin e mbetjeve urbane, i cili hyn sot në fuqi. Ata u mblodhën në një lulishte në qendër të Tiranës dhe pastaj protestuan para selive të qeverisë e të parlamentit me parrullat, që kërkonin të parandalohej importi i plehrave dhe të merrej në shqyrtim peticioni i tyre.

“Jemi kundër ligjit, sepse Shqipëria nuk është e gatshme të trajtojë plehërat e veta, dhe aq më pak të hapë rrugën për të marrë plehërat e vendeve të tjerë. Po protestojmë sepse nuk duam të lejojmë që dinjiteti i qytetarit dhe Shqipërisë të njolloset vetëm nga veprimet dhe interesat personale të ndokujt në pushtet” - tha veprimtari Taulant Capa.

Protestuesit thanë se importi i plehrave dhe vetë ky ligj rrezikojnë natyrën dhe jetën e vendit. Ata dorëzuan në fillim të nëntorit një peticion me 3 mijë firma qytetarësh dhe personalitetesh publike, të cilët propozojnë një nen që minimalisht për 20 vitet e ardhshme të mos importohet asnjë lloj mbeturine në Shqipëri, derisa të krijohen kapacitetet kontrolluese dhe përpunuese.

“Jemi të shqetësuar se importi i mbeturinave do të sjellë edhe sëmundje të rënda për popullin tonë. Plehërat e Italisë apo shteteve të tjera do të sillen dhe do të digjen këtu. Tymrat toksike do të shkarkohen në ajër. Mbetjet e tjera do të trajtohen me mënyra të tjera. Do të treten apo do të groposen? Pra, mbetjet e mbetjeve ku do të shkojnë? Apo do të mbeten në Shqipëri? Kjo është pyetja që u bëjmë zyrtarëve dhe kjo na shqetëson shumë” - tha studenti Geraldo Durda.

Protestuesit thonë se sipas ligjit, peticionin e dorëzuar në parlament me firmat e mijëra qytetarëve nga Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani, Shkodra, drejtuesja e parlamentit duhet ta dërgojë atë nëpër komisionet parlamentare, por asnjë prej komisioneve nuk e ka marrë peticionin.

“Mospërhapja e peticionit në komisione është një shkelje e të drejtave njerëzore. Qytetarët mbledhin firmat për një shqetësim, propozojnë disa korigjime ligji dhe e dërgojnë fjalën e tyre në parlament. Por atje nuk i dëgjon askush. Jemi shumë të shqetësuar për këtë dhe për mbetjet. Ky është një ligj, që… që vetëm ky nuk i duhej Shqipërisë tani” - thotë përfaqësuesi i organizatës, Arlind Kote. Ai siguron se kundër këtij ligji organizatat e shoqërisë civile do të dërgojnë një padi edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Veprimtarët e mjedisit dhe të shoqërisë civile pohojnë që pasi ta paditin këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, ata do të mbledhin 50 mijë firma qytetarësh për të thirrur një referendum kombëtar mbi këtë çështje. Një protestë të ngjashme ata e bënë edhe në filim të nëntorit para selisë së parlamentit, ndërkohë që ai po shqyrtonte projekt-ligjin. Ekspertë joqeveritarë të mjedisit pohuan se ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve do të ishte shumë i mirë, vetëm në qoftë do të ishin hequr nenet që lejojnë importin e plehërave, por asnjë sugjerim i shoqërisë civile nuk u përfill nga shumica parlamentare. Projekt-ligji u kthye për rishqyrtim edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, megjithatë parlamenti e miratoi atë përsëri pa ndryshime thelbësore.

XS
SM
MD
LG