Lidhje

Protesta e opozitës kundër trafikimit të drogave


Partia Demokratike e opozitës kërkoi sot largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra pas dyshimeve për përzjerje të strukturave shtetërore në trafikimin e lëndëve narkotike. Duke marrë shkas nga arrestimi i një shoferi që transportonte lëndë narkotike pranë plazhit të Divjakës ku u ul një avion italian, opozita kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe një seancë të posaçme debati në parlament për të ndriçuar ngjarjen.

Tubimi i protestës së opozitës u zhvillua nga disa mijëra përkrahës të saj në hyrje të parlamentit. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se qeveria u përpoq ta fshihte trafikun e drogave, sepse e kryente vetë atë ndaj, dhe protestat do të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama. Parlamenti miratoi kërkesën e Partisë Demokratike, që të diskutohej mbi shqetësimet dhe dyshimet se Shqipëria po përdorej si një vend origjine për trafikimin e drogave nga toka, deti dhe ajri.

Deputetët e opozitës deklaruan se avioni i rrëzuar në plazhin e Divjakës është vetëm njëri nga disa të tjerë dhe se ky trafikim bëhej me tolerimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Ndërsa kryeministri Edi Rama ftoi drejtuesit e Partisë Demokratike, që së bashku me ta të shkonin në prokurori dhe se ishte i gatshëm të japë dorëheqjen nëse provohet një akuzë për lidhjet e tij me drogën.

Polemikat vazhduan gjatë në parlament, kur folën një seri deputetësh nga të dy palët, dhe në fund të kësaj pjese deputetët e opozitës u larguan nga salla për shkak, siç u shprehën ata, të mungesës së transparencës së qeverisë mbi ngjarjen e Divjakës. Ndërsa parlamenti vazhdoi seancën me projektligjin për legalizimin e ndërtimeve informale, të cilat janë rreth 300 mijë dhe deri tani janë legalizuar vetëm 25 mijë.

Rrëzimi i një avioni të lehtë italian në plazhin e Divjakës dhe arrestimi pranë tij i një shoferi me automjet të prishur që transportonte landë narkotike është bërë prej një jave temë kryesore e debatit politik. Të dy palët kanë ndezur një valë të re kundër-akuzash, njëra se po e lufton drogën dhe se ky është problem i mbartur nga qeveria e mëprashme, ndërsa tjetra se qeveria është bërë pjesë e trafiqeve, duke fituar miliona dhe duke dëmtuar imazhin e vendit në qarqet politike europiane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG