Lidhje

Tunelet e Shkëmbit të Gjibraltarit midis së shkuarës dhe të tashmes

  • Zëri Amerikës

Tunelet e Shkëmbit të Gjibraltarit midis së shkuarës dhe të tashmes

Tunelet e Shkëmbit të Gjibraltarit midis së shkuarës dhe të tashmes

Një labirint tunelesh, të hapura në Shkëmbin e Gjibraltarit, janë shumë të preferuara nga turistët, ndërkohë qe mbeten një bazë e rëndësishme stërvitjeje për ushtrinë britanike.

Marrëdhëniet midis Britanisë dhe Spanjës tani janë të mira, por Shkëmbi i Gjibraltarit shërben si një kujtesë historike e së shkuarës me konflikte midis dy vendeve.

Sovraniteti i Gjibraltarit kaloi nga Spanja tek Britania në vitin 1713 dhe menjëherë ai u shndërrua në një pikë ushtarake tokësore dhe detare të rëndësishme. Gjatë viteve 1780 fitoi edhe më tepër rëndësi me hapjen e fshehtë të disa tuneleve në të. Një fazë e dytë e ndërtimit të tuneleve filloi në vitin 1939, në mënyrë që gjithë personeli ushtarak britanik dhe pajisjet e tyre të mund të mbaheshin në siguri brenda shkëmbit.

Tunelet përmbajnë spitale, qendra strehimi, qendra shërbimesh, vende parkimi për automjetet dhe depo municionesh.

Sipas rreshterit Kevin O’Flynn, të Forcave Ajrore britanike, ushtria ndodhet në procesin e vendosjes së kushteve të sigurisë së tuneleve, para se t’i dorëzojë ato tek qeveria e Gjibraltarit.

“Një pjesë e madhe e sistemit të tuneleve do t’i rikthehet qeverisë së Gjibraltarit. Ministria e Brendshme britanike nuk ka më nevojë për për të gjithë hapësirën që disponon dhe si pjesë e detyrimeve për rikthimin e tuneleve, ata duhet të jenë në kushte të mira sigurie para se t’u kalojnë autoriteteve civile.”

Kjo punë ka disa vite që ka filluar, por heqja e eksplozivëve të montuar në mëse 58 kilometra tunele është e vështirë dhe delikate.

Bob Skelton, i Forcave Ajrore britanike, shpjegon se eksplozivët u montuan në tunele, në mënyrë që ato të shembeshin në rast pushtimi.

“Ne po kërkojmë për artilerinë e lënë pas ose së fundmi nga ne ose nga Lufta e Dytë Botërore. Ne kemi informacione se brenda tuneleve janë vendosur eksplozivë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë që ato të shembeshin nëse gjermanët arrinin të pushtonin Gjibraltarin dhe tunelet në të.”

Puna përfshin shpërthime të kontrolluara të artilerisë, pas një qendrimi prej mëse 60 vjet nën tokë.

Materiali i nxjerrë nga hapja e tuneleve u përdor për ndërtimin e pistës së aeroportit të Gjibraltarit. Phil Smith punon si guidë turistike për tunelet.

“Atyre u duhej një pistë më e gjatë për t’u përdorur gjatë fushatës ajërore të pushtimit të Afrikës së veriut në vitin 1942. Kështu që materiali i gurtë i nxjerrë prej tuneleve u përdor për atë qëllim dhe ajo pistë vazhdon të përdoret ende sot.”

Sot, Shkëmbi i Gjibraltarit është një pikë turistike shumë e preferuar për të shijimin e pamjeve të Gjibraltarit, të aeroportit të tij dhe kufirit të afërt me Spanjën.

Zoti Smith shpjegon se tunelet përdoren ende nga ushtria për stërvitjen e ushtarëve që shkojnë në Afganistan.

“Shumica e tuneleve janë ende në përdorim nga ushtria. Qendra e komunikimit, pajisjet dhe depot janë ende në përdorim. Funksioni i këtyre tuneleve sot është stërvitja e ushtarëve - jo vetëm britanikë por edhe nga vende të tjera - për situatat e luftimeve në tunele. Para se ushtarët shkojnë në Afganistan, ata vijnë këtu, pasi në Afganistan atyre u duhet të luftojnë edhe në tunele dhe shpella.”

Fotografitë e vjetra përkujtojnë momentet historike të vizitës në Gjibraltar të Uinston Çërçill. Ato ditë janë mjaft të largëta por shkëmbi është i fortë

si gjithmonë. Ai shërben ende si qendër komunikimi dhe pozita e tij gjeografike në hyrje të Detit Mesdhe e bën të vazhdojë të mbetet një pikë strategjike.

XS
SM
MD
LG