Lidhje

Tunizi, rrugët e kryeqytetit të qeta pas betimit të presidentit të përkohshëm


Tunizi, rrugët e kryeqytetit të qeta pas betimit të presidentit të përkohshëm
Tunizi, rrugët e kryeqytetit të qeta pas betimit të presidentit të përkohshëm

Rrugët e kryeqytetit tunizian ishin sot të qeta pas betimit të një presidenti të përkohshëm, i cili ka premtuar krijimin e një qeverie që mund të përfshijë edhe opozitën. Të premten, plaçkitjet, revoltat në burgje dhe kaosi nëpër rrugë përfshinë Tunizinë pas protestave masive që e detyruan presidentin Zine Ben Ali të largohej nga vendi.

Kryeministri tunizian Mohamed Ghannouchi po zhvillon sot bisedime për formimin e një qeverie uniteti në përpjekje për të ruajtur qetësinë e brishtë, dy ditë pas protestave me dhunë që çuan në largimin e Presidentit Zine Ben Ali.

Zoti Ghannouchi i hapi bisedimet me udhëheqësit politikë të vendit dje për të mbushur boshllëkun e krijuar nga largimi drejt Arabisë Saudite i Presidentit Ben Ali, i cili e kishte mbajtur këtë post për më tepër se 23 vjet.

Kryetari i Parlamentit, Fuad Mebazza, që bëri betimin si president i përkohshëm, i ka kërkuar zotit Ghannouchi të formojë një qeveri të bashkimit kombëtar ndërkohë që autoritetet kushtetuese thanë se zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen brenda 60 ditëve.

Tanket vazhduan të qendrojnë në periferi të kryeqytetit Tunis dhe ndërtesat publike të ruheshin nga ushtarët, por pas dy ditë trazirash, banorët kanë filluar pastrimin e rrugëve.

"Si banorë të kësaj lagjeje të gjithë po punojmë së bashku dhe kjo po i hap rrugën fazës tjetër, pastrimit. Njerëzit do të fillojnë të qetësohen dhe do të shpëtojmë nga bandat për të cilat dëgjojmë,” thotë një banor.

Sipas analistëve, në vend mund të ketë protesta të tjera nëse opozita nuk përfaqësohet sa duhet dhe bisedimet mund të hasin në vështirësi kur të vijë puna te hollësitë se si do të ndahen postet e kabinetit mes partive dhe se cilët politikanë të gardës së vjetër do të qendrojnë në pushtet.

Partitë e opozitës po kërkojnë sigurime se zgjedhjet presidenciale do të jenë të lira dhe se ato do të kenë kohë të mjaftueshme për fushatë.

Dy parti opozitare kanë thënë gjithashtu se afati prej dy muajsh për organizimin e zgjedhjeve është tepër herët.

Dje, rrugët e Tunist ishin plot me policë, të cilët për dekada me radhë kanë qenë forca më e dukshme dhe së cilës njerëzit i trembeshin më shumë në vend.

Policia kontrollonte me imtësi makinat, sidomos ato të marra me qira ndërkohë që në bandat kishin në kontroll qytetin.

Numri i të vdekurve u rrit. Të paktën 42 veta u vranë dje gjatë shkëmbimit të zjarrit në burgun e një qyteti turistik, ndërsa drejtori i burgut të një qyteti tjetër turistik lejoi arratisjen e 1 mijë të burgosurve pasi ushtarët vranë 5 prej atyre që ishin rebeluar.

XS
SM
MD
LG