Lidhje

Tunizi, vrasja e kreut të opozitës nxit protesta


Mijëra njerëz dolën sot nëpër rrugët e Tunizisë, për të protestuar ndaj vrasjes së njërit prej udhëheqësve të opozitës, ndërsa janë shtuar shqetësimet se elementët radikalë rrezikojnë ta devijojnë tranzicionin e vendit drejt demokracisë.

Sipas njoftimeve, protestuesit u turrën në bulevardin kryesor të kryeqytetit Tuniz, me thirrjet “turp, turp”, ndërsa denonconin vrasjen e politikanit të majtë Chokri Belaid. Edhe në qytete të tjera të Tunizisë po zhvillohen demonstrata të ngjashme, të cilat të kujtojnë revolucionin paqësor të vendit dy vjet më parë.

Një nga drejtuesit e partisë së opozitës Fronti Popullor, Chokri Belaid, kritik ndaj qeverisë së udhëhequr nga islamikët, u vra sot para shtëpisë së tij në kryeqytetin e vendit, Tuniz.

Presidenti tunizian Moncef Markouzi e anuloi vizitën që kishte planifikuar për takimin në Kairo të Organizatës së Shteteve Islamike, për shkak të vrasjes.

Protestuesit sulmuan dhe i vunë zjarrin zyrave të Partisë Islamike Ennahda, një parti relativisht e moderuar, e cila kryeson koalicionin e brishtë me partinë laike.

XS
SM
MD
LG