Lidhje

Turistët francezë shpëtuan peshkatarët vlonjatë

  • Ilirian Agolli

Një anije turistike me 760 udhëtarë francezë dhe Italianë shpëtuan sot dy peshkatarë shqiptarë, që kishin humbur në det prej 24 orësh nga gjiri i Vlorës. Anija turistike po vinte në portin e Durrësit për të çelur sezonin turistik të kroçerave, kur gjeti lundërtarët e drobitur pak milje larg bregut. Operacioni i shpëtimit u përcoll me entuziazëm nga turistët dhe banorët që kishin dalë per t'i pritur.

Anija turistike “Costa Vouager” çeli sezonin turistik të Durrësit duke shpëtuar dy peshkatarë që kishin humbur në det prej 24 orësh nga gjiri i Vlorës. Kjo është hera e parë që një anije e përmasave të tilla shpëton në brigjet shqiptare lundërtarë vendas, dhe ky operacion shpëtimi u përcoll me entuziazëm nga 760 turistët francezë dhe italianë që ishin në bord.

Komandanti i anijes Giovanni Cosini thotë se peshkatarët u gjetën 12 milje nga Porti i Durrësit dhe menjëherë anija turistike u përfshi në një operacion humanitar, të cilin e përshëndetën të gjithë udhëtarët, sepse jeta në det është përparësi kryesore.

“Njoftuam kapitenerinë e portit shqiptar se kemi gjetur njerëz në rrezik. Operacioni i shpëtimit nuk zgjati më shumë se 5 minuta. I nxorrëm peshkatarët nga deti në një gjendje shumë të rëndë dhe u kujdesëm menjëherë për ta. Shpëtimi i dy peshkatarëe në det i kushtoi anijes vetëm një vonesë 20 minuta nga oraret e parashikuara. Shëndeti i tyre është i mirë tani, por mungesa e telefonave ua kishte vështirësuar komunikimin me autoritetet portuale gjithë natën” - tha komandanti.

Së bashku me bashkëshortin, Eliana nga Provanca pranë Marsejës po e feston ditëlindjen në Durrës. Ajo thotë se është e lumtur që mori lule për ditëlindje këtu në Durrës, ku hynë duke shpëtuar dy shqiptarë nga vdekja. “Duam të shkrihemi me popullatën, - thotë Elian - do të marrim një taksi dhe duam të takojmë banorët. Nuk kemi ardhur që të shohim vetëm monumentet. Do të shkëputemi nga kolona e autobuzëve”.

Shumica e udhëtarëve francezë vijnë për herë të parë në Shqipëri dhe ata dinë shumë pak, ndaj duan ta njohin më afër. “Natyrisht që dimë diçka për Shqipërinë. Njohim Ismail Kadarenë. Kam lexuar Kronikë në Gur, një roman për Gjirokastrën - thotë Zhan Mari Sevre. - Është ide e mirë të vizitojmë një vend që tashmë është i hapur dhe i gatshëm për turizmin. Kemi ardhur në një qytet arkeologjik shumë interesant, me njerëz shumë miqësorë dhe me ushqim të mirë”.

Agjencitë turistike vlerësojnë përpjekjet e portit detar për të mirëpritur anije përherë e më të mëdha. Anija turistike “Costa Vouager” është për herë të parë në Durrës, dhe është pjestare e kompanisë së njohur “Costa Crocere”. Ajo ka lundruar në pjesën më të madhe të porteve të detit Mesdhe, në Francë, Itali dhe Kroaci. Mjaft turistëve nisën menjëherë të vizitojnë në këmbë qytetin antik të Durrësit. Është programuar lëvizja me autobuza e grupeve të mëdha me turistë, që të vizitojnë Tiranën dhe Krujën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG