Lidhje

Gjiri i Porto Palermos, plot relike dhe potencial turistik


Megjithë infrastrukturën modeste të Shqipërisë, turistë që kërkojnë diçka të veçantë në Evropë kanë vite që kanë frekuentuar bregdetin e virgjër të Detit Jon. Shqipëria planifikon të zgjerojë sektorin e turizmit duke hapur për vizitorët e huaj pjesë të paprekura të bregdetit dhe reliket e Luftës së Ftohtë.

Në vitin 1984, gjatë vizitës së Kryeministrit të Bavarisë Franc Jozef Shtraus në Shqipërinë komuniste, makina me të cilën ai udhëtonte u nxeh dhe ai u ndal në dalje të Llogarasë dhe pa t’i shpalosej para syve një gji i paprekur në brigjet e Jonit. “Kalifornia e Virgjër!” u shpreh i mahnitur zyrtari gjerman.

Tridhjetë vjet më pas, brigjet e Jonit, Gjiri i Porto Palermos dhe kështjella pranë brigjeve janë ndër pikat më të vizituara turistike për ata udhëtarë që kërkojnë diçka të veçantë në Evropë.

Porti i Porto Palermos, dikur bazë e marinës ushtarake, u hap pak vjet pas rënies së komunizmit. Tani ai pret vizitorë vendas e të huaj. Zona ofron edhe turizëm kulturor me vizita në kështjellën e shekullit XIX të Ali Pashës, mes bimësisë medhetare:

“Kështjella ishte e mrekullueshme dhe ofronte pamje mahnitëse nga lartësia, por edhe plot gjëra me interes në mjediset e brendshme,” thotë Tenney Foster, turiste angleze.

Klearko Koçi, punonjës në kështjellë, thotë se objekte të tilla janë të paçmueshme dhe të pazëvendësueshme:

"Duhet t’i mbrojmë me fanatizëm," thotë ai.

Rëndësia e këtyre objekteve dhe e vlerës turistike që ofron vija bregdetare paqyrohet edhe në politikat që ka premtuar të ndjekë qeveria shqiptare.

Kryeministri Edi Rama premton një transformim të plotë për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion turistik në Mesdhe.

E kaluara komuniste e vendit ka lënë pas objekte ushtarake, që autoritetet shqiptare mendojnë se do të jenë tërheqëse për të huaj, të interesuar për të mësuar për këtë element historik të vendit.

Baza e dikurshme e marinës ushtarake, thotë drejtori për turizmin bregdetar Auron Tare, ofron një relike interesante të Luftës së Ftohtë:

“Ideja është të tërheqim anijet turistike dhe turizmin në përgjithësi në dy objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Kemi Kështjellën e Ali Pashës, por kemi edhe tunelin e nëndetëseve, të ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë për të strehuar nën mal nëndetëset. Tuneli me gjatësi një kilometër është një shembull shumë i mirë i politikave të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste.”

Vizioni i qeverisë është ende larg realizimit, por biznesmenë lokalë thonë se kanë filluar të ndjejnë një kthesë pozitive në aktivitetin turistik. Klodjan Memoali, pronar i një hoteli në Borsh, thotë se hoteli ka pasur një fluks më të madh turistësh të huaj këtë vit.

Mirëmbajtja dhe përmirësimi i kushteve për turizëm kërkon një punë të madhe. Pak ditë më parë, një grup turistësh britanikë punuan vullnetarisht për të pastruar plazhin, ndërsa turistë vendas pushonin në shezlonge. Qeveria shqiptare ka mobilizuar vullnetarë e forca ushtarake për të hequr mbeturina nga rrugët dhe plazhet.

XS
SM
MD
LG