Lidhje

Ushtria turke thotë se ka marrë pushtetin në Turqi


Ushtria turke tha të premten se ka marrë pushtetin në Turqi, në atë që kryeministri e cilësoi si një "akt të paligjshëm".

Situata është e paqartë, por mediet turke cituan një komunikatë të ushtrisë e cila tha se "ka vënë nën kontroll të plotë" qeverinë "për të mbrojtur vendin dhe rendin demokratik si dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut".

Të shtëna armësh dëgjohen në Ankara dhe në Stamboll.

Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, tha se 17 oficerë të policisë janë vrarë gjatë një sulmi me helikopter në shtabin e tyre ne Ankara, ndërsa helikopteri me pas është rrëzuar nga avionët ushtarak.

Ka njoftime se janë marrë pengje në Ankara. Kanali televiziv CNN Turk, tha se ata po mbahen në shtabin e ushtrisë në kryeqytet.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, tha se shefi i shtatmadhorisë është në mesin e pengjeve.

"Gjenerali Hulusi Akar, është marrë peng nga një grup i ushtrisë që po përpiqet të organizojë një kryengritje", shkruan kjo agjenci duke ju referuar "burimeve të besueshme".

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në rrugë për të protestuar kundër asaj që ai e cilësoi si përpjekje për grusht shteti nga një grup i vogël brenda ushtrisë.

Ai i tha kanalit CNN Turk nëpërmjet telefonit se beson që kjo përpjekje do të marrë fund shumë shpejt, ndërsa akuzoi mbështetësit e klerikut Fethullah Gulen, që jeton në Shtetet e Bashkuara, për zhvillimet e së premtes.

Kryeministri turk Binali Yildirim, një grup brenda ushtrisë turke jashtë zinxhirit komandues është vënë në "përpjekje të paligjshme" për të rrëzuar qeverinë.

"Disa njerëz në mënyrë të paligjshme kanë ndërmarrë një aksion të paligjshëm", tha Yildirim për televizionin privat NTV. "Qeveria e zgjedhur nga populli mbetet në detyrë. Kjo qeveri do të shkojë vetëm kur populli të thotë një gjë të tillë".

Turqia nuk do të lejojë asnjë nismë "që mund të pengojë demokracinë", tha ai duke u zotuar se "autorët do të paguajnë çmimin më të lartë".

Ai tha se zhvillimi i së premtes nuk duhet të quhet grusht shteti, por "kryengritje".

Pamjet e kanaleve lokale televizive tregojnë tanket e vendosura në aeroportin kryesor të Stambollit dhe sipas tyre, të gjitha fluturimet janë anuluar.

Urat kryesore në Stamboll janë mbyllur nga forcat e sigurisë dhe trafiku është mbyllur përgjatë ngushticës së Bosforit.

Mediet njoftojnë për të shtëna armësh dhe një avion ushtarak po fluturon mbi Ankara.

Departamenti amerikan i shtetit u ka bërë thirrje amerikanëve në Turqi që të jenë të kujdesshëm, ndërsa sekretari John Kerry tha se shpreson për qëndrueshmëri, paqe e vazhdimësi në Turqi.

Presidenti amerikan, Barack Obama, u bëri thirrje të gjitha palëve në Turqi që të mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se presidenti Obama, u bëri thirrje palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune e gjakderdhjeje.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Obama dhe sekretari i shtetit, John Kerry biseduan më telefon pas ngjarjeve në Turqi.

Sekretari Kerry, i cili ndodhet në Moskë, nënvizoi se departamenti i shtetit do të përqendrohet në sigurinë e qytetarëve amerikanë në Turqi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ka biseduar me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, lidhur me zhvillimet në Turqi.

"Po i ndjek me shqetësim zhvillimet në Turqi. Thërras për qetësi dhe përmbajtje, dhe respekt për institucionet demokratike dhe kushtetuese të Turqisë. Turqia është aleat i çmuar i NATO-s”, tha sekretari Stoltenberg.

Autoritetet më të larta të Bashkimit Evropian, thanë në një deklaratë të përbashkët se "Turqia është partner kyç për BE-në".

"Bashkimi Evropian mbështetë plotësisht qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, institucionet e vendit dhe sundimin e ligjit. Ne bëjmë thirrje për kthim të shpejtë të Turqisë në rendin kushtetues", thuhet në deklaratë.

Turqia, anëtare e NATO-s, është një nga aleatët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik.

Ajo mbështetë në parim kundërshtarët e presidentit sirian Bashar al-Assad dhe aktualisht kujdeset për mbi 2 milion refugjatë sirianë.

Turqia është në luftë me separatistët kurd dhe ka pësuar një seri shpërthimesh dhe sulmesh me armë zjarri, përfshirë është ata të para disa javësh në aeroportin e Stambollit që la pas vetes 40 të vrarë.

XS
SM
MD
LG