Lidhje

Turqia miraton ndryshimet kushtetuese

  • Dorian Xhons

Qeveria e Turqisë njoftoi se rreth 60 përqind e votuesve në referendumin e djeshëm kanë miratuar paketën e ndryshimeve të kushtetutës 30 vjeçare të hartuar gjatë periudhës së drejtimit ushtarak të vendit. Qeveria thotë se reformat janë të rëndësishme për demokracinë në Turqi. Por kundërshtarët thonë se ndryshimet minojnë pavarësinë e gjyqësorit në Turqi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Xhons, njofton nga Stambolli.

Mijëra përkrahës thërrisnin “Turqia është krenare për ju”, ndërkohë që Kryeministri Rexhep Taip Erdohan përshëndeti rezultatin e referendumit. Rezultati i fitores ishte i papritur për shumë analistë sepse anketat e kohëve të fundit tregonin se rezultati do të ishte shumë i ngushtë. Zoti Erdohan iu drejtua përkrahësve të tij dje:

"Më 12 shtator demokracia fitoi. Të vetmit njerëz që u mundën ishin ata që mbështesin grushtet e shtetit. Por si ata që thanë ‘Po’ edhe ata që thanë ‘Jo’ fituan sot, sepse demokracia avancoi për të gjithë”.

Gjatë gjithë periudhës së fushatës, zoti Erdohan tha se reformat kishin si qëllim shkëputjen e vendit nga e kaluara, kur Turqia drejtohet nga ushtria.

Në të 26 reformat përfshihen vënia e ushtrisë nën kontrollin e gjykatave civile. Do të zgjerohen gjithashtu të drejtat e sindikatave dhe të grave. Sipas një neni tjetër, udhëheqësit ushtarakë, përgjegjës për grushtin e shtetit të vitit 1980 nuk do të kenë më imunitet ndaj ndjekjes penale.

Por kritikët e reformave, përfshirë dy partitë kryesore të opozitës, kritikojnë ndryshimet në gjyqësor, duke thënë se ato do t’i vinin gjykatat nën kontrollin e qeverisë.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu rritjen e numrit të gjykatësve të gjykatës kushtetuese nga 11 në 17 dhe qeveria do të ketë kompetenca më të mëdha në caktimin e gjykatësve dhe prokurorëve në pozita të larta. Kritikët paralajmërojnë se gjyqësori është një nga kontrollet e fundit për Partinë në pushtet të Drejtësisë dhe Zhvillimit, e cila ka një shumicë të madhe në parlament.

Përkrahësit e qeverisë thonë se gjyqësori ka qenë një pengesë antidemokratike dhe se reformat do të forcojnë demokracinë.

Ndryshimet kushtetuese janë mirëpritur edhe nga Bashkimi Evropian. Negociatat për pranimin e Turqisë në këtë organizim 27 anëtarësh kanë shënuar pak përparim që nga fillimi i tyre në vitin 2005, kur Gjermania dhe Franca kundërshtuan kërkesën e Turqisë për t’u pranuar në BE.

XS
SM
MD
LG