Lidhje

Dhjetëra të vrarë në aeroportin e Stambollit


Kryeministri turk, Binali Yildirim, tha se 36 veta kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur, nga shpërthimet dhe të shtënat në aeroportin e Stambollit, "Mustafa Kemal Ataturk".

Në një konferencë shtypi pas mesnatës ai tha se disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Mediet lokale cituan ministrin e Drejtësisë, Bekir Bozdag, të ketë thënë se mbi 140 veta janë plagosur dhe se druhet që numri i të vrarëve mund të rritet.

Kryetari i Stambollit, Vasip Sahin tha se besohet që tre sulmues vetëvrasës hapën zjarr me armë automatike, para se të hidhnin veten në erë në hyrje të aeroportit.

Një dëshmitar i tha shërbimit turk të Zërit të Amerikës se "pati dy shpërthime më të vogla të pasuara një më i fuqishëm. Njerëzit vrapuan gjithandej. Nuk dinin ku të shkonin. Ne po prisnim për motrën por nuk e kemi gjetur. Ende po presim".

Ende askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë, ndërsa kryeministri turk Binali Yildirim tha se grupi Shteti Islamik mund të qëndrojë prapa sulmit në aeroportin kryesor të Stambollit, që është i treti në Evropë..

Të gjitha fluturimet janë pezulluar. Autoritetet më pas lejuan uljen e avionëve që po fluturonin mbi qytet, ndërsa të gjitha fluturimet tjera u drejtuan në të tjera aeroporte.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, e dënoi me fjalët më të fuqishme sulmin e së martës mbrëma, që sipas tij "kishte për qëllim minimin e Turqisë me vrasjen e njerëzve të pafajshëm".

"Është e qartë se ky sulm nuk synonte asgjë tjetër vetëm krijimin e një materiali propagandistik kundër vendit tonë duke shfrytëzuar gjakun dhe dhimbjen e njerëzve të pafajshëm" tha presidenti turk nëpërmjet një komunikate.

Ai tha se pret që bota të dëshmojë "qëndrim të vendosur" kundër grupeve terroriste.

Shtëpia e Bardhë dënoi me "fjalët më fuqishme, sulmin e tmerrshëm terrorist" në Stamboll. Zëdhënësi Josh Earnest tha të martën mbrëma se "aeroporti ndërkombëtar Ataturk, sikundër aeroporti i Brukselit që u sulmua më herët gjatë këtij viti, është simbol i lidhjeve ndërkombëtare dhe lidhjeve që na mbajnë të bashkuar. Ngushëllimet më të thella familjeve dhe më të dashurve të atyre që u vranë dhe shërim sa më të shpejtë atyre që u plagosën. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Turqinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë, së bashku me të gjithë miqtë dhe aleatët në mbarë botën, derisa vazhdojmë të përballemi me kërcënimin e terrorizmit".

Stamboll
Stamboll

Turqia ka pësuar një seri shpërthimesh gjatë këtij viti, përfshirë edhe dy sulme vetëvrasëse në zonat turistike të Stambollit për të cilat është fajësuar grupi Shteti Islamik dhe dy të tjera në Ankara për të cilat përgjegjësinë e mori grupi militant kurd.

Së fundmi një makinë bombë shpërtheu pranë një autobusi të policisë në Stamboll duke vrarë 11 veta dhe duke plagosur 36 të tjerë.

Turqia që është pjesë e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it, është duke luftuar po ashtu militantët kurd në pjesën juglindore të saj.

XS
SM
MD
LG