Lidhje

Turqia një ditë pas përpjekjes për grusht shteti


Zyrtarët në Turqi thonë se janë arrestuar 2 mijë e 839 ushtarë dhe oficerë lidhur me përpjekjen për grusht shteti mbrëmjen e së premtes. Presidenti Erdogan akuzoi klerikun në mërgim Fetullah Gulen për organizimin e komplotit.

Sipas njoftimeve, rreth 2,745 gjykatës janë pezulluar nga puna, nën akuzat se kanë patur lidhje me zotin Gulen. Media turke, po ashtu njoftoi se janë lëshuar 140 urdhër arresti për anëtarë të gjykatës së Lartë të Turqisë.

Kleriku Fetullah Gulen, i cili jeton në shtetin e Pensilvanisë në Shtetet e Bashkuara, ka mohuar të ketë lidhje me komplotin për grusht shteti.

Të shtunën, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se Turqia nuk ka bërë një kërkesë zyrtare për ekstradimin e zotit Gulen, por se SHBA do ta shqyrtonte atë, në se qeveria turke paraqet fakte për aktivititetin e tij kundër vendit.

Kryeministri Binali Yildrim tha se se gjatë përpjekjes për grusht shteti në Turqi janë vrarë 161 vetë dhe mbi 1 mijë e 400 të tjerë u plagosën. Ai tha një një fjalim drejtuar vendit të shtunën, se e premtja mbrëma ishte “një njollë e errët për shtetin turk.” Kryeministri turk paralajmëroi se personat që mbështetën përpjekjen për grusht shteti nuk do të faleshin lehtë.

Të shtunën situata ishte përsëri e tensionuar në Stamboll, Ankara dhe disa qytete të tjera, ku pati dhunë sporadike. Media turke njoftoi për përleshje të ashpëra në disa kazerma ushtarake në periferi të Ankarasë, që mendohet të jenë bastion i komplotuesve të grushtit të shtetit.

Pentagoni thonte përmes një deklarate të shtunën se qeveria turke e ka mbyllur hapësirën ajrore të vendit për avionët luftarakë dhe për rezultat, edhe operacionet në bazën ajrore Inçirilik. Në deklaratë thuhej se zyrtarët amerikanë janë duke bashkëpunuar me Turqinë për rifllimin e fluturimeve dhe se Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ka bërë modifikime në operacionet e saj të fluturimit, për minimizimin e pasojave ndaj fushatës ajrore kundër Shtetit Islamik.

Zyrtarë perëndimorë ushtarakë dhe të zbulimit po i ndjekin nga afër zhvillimet në Turqi, anëtare e NATO-s dhe një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG