Lidhje

Zgjedhjet në Turqi dhe ndikimi tek politika e Sirisë

  • Dorian Jones

Anketat e fundit të opinionit në Turqi parashikojnë se partia AK në pushtet mund të humbasë shumicën në parlament në zgjedhjet e 7 qershorit. Analistët paralajmërojnë se mund të ndodh një ndryshim i rëndësishëm në politikën e jashtme lidhur me Sirinë dhe fluksin e refugjatëve në vend.

Fundi i gati 14 vjetëve në pushtet për partinë me bazë islamike do të ketë një ndikim të thellë në politikën e jashtme turke, parashikon analisti Kadri Gursel me gazetën Milliyet dhe faqen elektronike Al-Monitor.

"Pas një koalicioni të tillë mund të flasim për kthim të politikës së jashtme turke. Së pari institucionalizim, së dyti parashikueshmëri; së treti politikë të jashtme laike. Dhe sigurisht elementi i katërt: marrëdhënie të mira dhe paqësore me fqinjët tanë."

Të gjitha partitë opozitare e kanë akuzuar partinë AK se ka ndjekur një qëndrim gjithnjë e më pro-suni në rajon, duke e bërë Turqinë aleate me vende të dominuara nga sunitë si Arabia Saudite dhe Katari – akuzë që qeveria e hedh poshtë.

Politika e Ankarasë kundrejt Sirisë ka të ngjarë të shoh ndryshimin më të madh në se zgjedhjet sjellin një qeveri koalicioni, parashikon Sinan Ulgen me Institutin Carnegie në Bruksel.

"Rezultati do të ishte sigurisht një rikalibrim i politikës turke në Siri dhe sigurisht një zvogëlim të angazhimit të grupeve opozitare."

Qeveria e partisë AK është ndër mbështetëset më të zjarrta të rebelëve sirianë dhe është angazhuar për të rrëzuar regjimin e presidentit Assad. Kjo politikë është kritikuar ashpër nga partitë opozitare që fajësojnë qeverinë për nxitje të konfliktit sirian dhe e konsideron atë pjesërisht përgjegjëse për gati 2 milionë refugjatë sirianë që kanë shkuar në Turqi.

Shqetësimet po shtohen mes politikanëve kundërshtarë mbi kërcënimin e grupeve radikale islamike në kufirin sirian dhe përdorimin e terrotorit turk si një autostradë xhihadiste. Çdo partner i mundshëm i koaliciont, sipas analistit Gursel do të kërkonte një fund të praktikave të tilla.

"Një koalicion do të mundësonte Turqinë të kontrollojë rrezikun e dëmeve në Siri, duke u dhënë fund mbështetjes së heshtur të organizatave të lidhura me al-Qaida, duke i dhënë fund mbështetjes së heshtur për ISIS, duke siguriar kufijtë dhe duke i dhënë fund qasjes ideologjike ndaj krizës në Siri."

Partia AK kundërshton me forcë të ketë dhënë mbështetje për Shtetin Islamik, por ka konfirmuar se ka shtuar bashkëpunimin me Riadin dhe Katarin në mbështetjen e grupeve të tjera islamike.

Kjo mbështetje, thonë analistët është e rëndësishme në përparimet e fundit nga këto grupe kundër forcave pro-Assadit. Me një kufi prej 900 kilometrash me Sirinë, Turqia është rruga e vetme e furnizimit për rebelët në veri të Sirisë. Kreu i partisë kryesore opozitare, Populli Republikan, Kemal Kilicdaroglu, këtë muaj premtoi të mbyll kufirin Turqi-Siri.

Cilado parti politike që do të formojë një qeveri të mundshme koalicioni në Turqi, do të jetë gjithashtu një faktor në përcaktimin e politikës së jashtme në të ardhmen, thotë analisti Ulgen.

"Një koalicion me partinë kurde HDP mund të punojë drejt një zgjidhje të problemit kurd që do të ketë patjetër një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet me kurdët në Irak dhe se si e sheh situatën rajonale. Një koalicion me MHP nga ana tjetër mund të sjell pesimizëm për zgjidhjen e çështjes kurde por po ashtu edhe në atë të politikës së jashtme. Turqia ka të ngjarë të miratojë një qëndrim më nacionalist."

Thellimi i marrëdhënieve të AK me qeverinë gjysmë-autonome të Kurdistanit shihet nga vëzhguesit si një nga arritjet më të mëdha të politikës së jashtme. Kurdistani në Irak sipas disa llogaritjeve është partneri i dytë më i madh tregëtar i Turqisë. Ndërsa përpjekjet e qeverisë për paqe me grupin rebel PKK janë delikate, ato vlerësohen gjitashtu si të rëndësishme për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit. Vëzhguesit thonë se kushdo që formon një qeveri, do të paguaj një kosto të madhe nëse njëra nga këto arritje fashitet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG