Lidhje

Partia e Erdoganit humbet shumicën


Partia qeverisëse turke AKP, humbi shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare të së dielës, një humbje tronditëse për synimet e presidentit Recep Tayyip Erdogan's që të rishkruajë kushtetutën e vendit për të shndërruar atë në demokraci presidenciale. Rezultatet do të detyrojnë partinë e Erdoganit që të formojë një qeveri koalicioni, për herë te parë që kur morri pushtetin në vitin 2002.

Trembëdhjetë vjet të dominimit ta Partisë për Drejtësi e Zhvillim me shumicë dërmuese në parlament, morën fund. Ndonëse AKP do të mbetet partia më e madhe në parlament, ajo pësoi humbje të rëndë në zgjedhjet e së dielës.

Ekonomia e lëkundur është përmendur si një nga faktorët kryesor të humbjes pas një dekade të rritjes së paparë ekonomike të Turqisë. Por, është suksesi i HDP-së, partisë pro kurde që kaloi pragun zgjedhor prej dhjetë për qind të votave që i shkaktoi dëmin më të madh AKP-së.

HDP kishte bërë përpjekje që të tejkalojë kufijtë e rajonit kurd nëpërmjet një platforme gjithëpërfshirëse të pluralizmit dhe demokracisë, duke vënë theksin tek të drejtat e punëtorëve, grave dhe homoseksualëve.

Mbështetja e gjerë për HDP-në gjithandej vendit shihet si zhvillim i rëndësishëm simbolik pas tensioneve etnike prej disa dhjetëvjeçarësh.

Kryeministri Ahmet Davutoglu, udhëheqës i AKP-së, po përballet me kritika në rritje për fushatë të zbehtë. Duke ju drejtuar një grupi të mbështetësve ai mbajti një qëndrim sfidues.

“Ne nuk do të heqim dorë nga qëndrimet tona. Asgjë nuk do të ndryshojë”, tha ai.

Por, rezultatet do të jenë një goditje për synimet e AKP-së që të ndryshojë sistemin parlamentar turk në një sistem presidencial.

Kjo parti po kërkonte tri të pestat e votave për të çuar përpara ndryshimet. Të gjitha partitë opozitare kundërshtojnë fuqishëm këtë synim.

Bashkëjryesuesi i HDP-së, Selahattin Demirtas, ritheksoi kundërshtimin dhe hodhi poshtë mundësinë e koalicionit me AKP-në. Partitë opozitare po ashtu kundërshtojnë politikën e jashtme të mbështetjes së kryengritësve sirian në luftën kundër qeverisë së Assadit.

Përballja me një opozitë të tillë, pritet ta vështirësojë krijimin e një koalicioni afatgjatë qeverisës. Tashmë çdo koalicion parashikohet të jetë i përkohshëm me thirrjet brenda AKP-së për zgjedhje të parakohshme brenda disa muaj, mbase me udhëheqës të ri, në përpjekje për të rifituar shumicën.

Më shumë se 53 milion qytetarë kishin të drejtë vote. Nëse AKP do të fitonte 330 vende në parlament, mund të organizonte një referendum për ndryshimin e kushtetutës, ndrysa më 367 vende do të ndryshonte kushtetutën pa referendum.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG