Lidhje

Turqia dhe Bashkimi Evropian


Vizita e Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan në Bruksel shihet si një hap i rëndësishëm në kthimin në rrugë të mbarë të procesit për marrjen e ofertës për anëtarësimin te vendit. Por vizita është duke u lënë në hije nga një krizë politike në rritje në Turqi. Një hetim korrupsioni një mujor, udhëhequr nga një grup prokurorësh ka vënë në shënjestër dhjetra aleatë të zotit Erdogan. Kryeministri thotë se hetimi i zgjeruar, në të cilin dhjetra aleatë të tij u arrestuan dhe më shumë se 20 u akuzuan për pastrim parash, mitëmarrje dhe shkelje të ligjit, është një "komplot kundër gjyqësorit", i mbështetur nga jashtë.

Vizita e parë e zotit Erdogan në kryeqytetin e Evropës në pesë vjet duket se sinjalizon një pike kthese në marrëdhëniet e tyre pasi BE-ja në nëntor ra dakort të rihapte negociatat e anëtarësimit pas një pezullimi tre vjeçar.

Por gazetari Kadri Gursel me të përditshmen Milliyet dhe faqen elektronike Al Monitor paralajmëron se zoti Erdogan mund të përballet me një vizitë të vështirë pas asaj që shumë e quajnë një spastrim të policisë dhe gjyqësorit.

"Ai shkon atje si kryeministër, legjitimiteti i të cilit është dëmtuar. Ai është nën hetime. Eshtë nën kritika të fuqishme, pas ndërhyrjeve të fundit në sistemin gjyqësor. Ka shqetësime në rritje për shkak të faktit se Turqia po e humbet tiparin e shtetit ligjor".

Zoti Erdogan është planifikuar të takohet me anëtarë të Komisionit dhe Parlamentit Evropian. Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim se reformat ligjore të propozuara nga qeveria turke kërcënojnë ndarjen e pushteteve, një kërkesë e rëndësishme për anëtarësimin. Por zoti Erdogan i hedh poshtë këto shqetësime.

"Nuk i takon askujt të bëjë deklarata rreth lëvizjes për reformën e gjyqësorit. Më vjen keq po nuk do t’u besoja deklaratave të tilla.. ne dimë si të shkruajmë e si të lexojmë".

Analisti politik Cengiz Aktar me Forumin e Politikave të Stambollit thotë se mënyra sesi zoti Erdogan reagon ndaj kritikave të pritshme mund të përcaktojë marrëdhëniet e ardhshme të vendit me BE-në.

"Ngrohtësia e krijuar vitin e kaluar mund të ndërpritet papritur të marten. Topi është në anën e kryeministrit. Ai do të vendosë nëse do të tërhiqet apo do të vazhdojë me planet e tij, që do të thotë një krizë me BE-në pasi nënkupton se Turqia po ecën mbrapsht dhe nuk po përparon më si më parë".

Me mbështetjen publike të Turqisë për anëtarësimin në BE në nivelin më të ulët, zhvillimet në Bruksel sipas analistëve, mund të luajnë një rol pozitiv tek baza mbështetëse e zotit Erdogan. Kjo është e rëndësishme me zgjedhjet lokale që po afrojnë në mars pasuar nga ato presidenciale në verë dhe zgjedhjet e përgjithshme një vit më vonë. Por gazetari Gursel paralajmëron se kryeministri mund të paguajë një cmim të lartë për cdo lëvizje që bën me Brukselin.

"Në se ky kryeministër mbështetet tek goditja e BE-së si opsioni i fundit, kjo do të shkatërronte cfarë ka ngelur nga imazhi dhe legjitimiteti i Turqisë. Kjo do të kishte pasoja për vetë ekonominë. Turqia duhet të jetë e parashikueshme".

Paqendrueshmëria politike ka goditur tashmë rëndë tregjet financiare me monedhën turke në nivele të dobëta rekord. Vëzhguesit paralajmërojnë se një krizë diplomatike me BE-në do të lerë pak besim tek investitorët ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG