Lidhje

Marrëdhëniet BE-Turqi


Shefja e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian më 8 dhjetor kryesoi një delegacion të nivelit të lartë që zhvilloi një vizitë dy ditore në Turqi për të diskutuar rolin e Ankarasë në luftën kundër Shtetit Islamik dhe kërkesën e vendit për anëtarësim në BE. Por vizita u bë në një kohë kur marrëdhëniet BE-Turqi kanë arritur në një pikë të ulët.

Gjatë vizitës së saj dy-ditore në Turqi, beteja kundër xhihadistëve ishte një nga çështjet e rëndësishme në axhendën e shefes së BE-së për punët e jashtme, Federica Mogherini.

Turqia, e cila ndan kufijtë me Sirinë dhe Irakun dhe është një pikë e rëndësishme transporti që lidh këto vende me BE-në, shihet nga Brukseli si një vend kyç për frenimin e numrit në rritje të evropianëve që i bashkohen grupit militant të Shtetit Islamik.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Cengiz Aktar në Universitetin Sulejman Sah thotë se kjo çështje mbetet një pikë tensioni mes Ankarasë dhe Brukselit.

"Është një çështje shumë përçarëse. Anëtarët e BE-së çdo ditë po shohin shtetasit e tyre duke u bashkuar me rradhët e grupit ISIS dhe për disa vjet ata kanë kërkuar bashkëpunimin e Turqisë për këtë çështje, i cili erdhi shumë vonë, dhe tani do të shohim se si do të zhvillohet ai".

Ankaraja përsëri u është përgjigjur kritikave, duke pretenduar se shtetet anëtare të BE-së kanë dështuar në përpjekjet për të ndalur qytetarët e tyre nga bashkimi me islamistët dhe nuk kanë shkëmbyer informacione me shërbimet turke të zbulimit.

Ministria e jashtme turke thotë se ka dëbuar më shumë se 1000 xhihadistë dhe ka një listë prej mbi 7.000 njerëzish të cilëve u ka ndaluar hyrjen në vend.

Zonja Mogherini ofroi stimuj për rigjallërimin e kërkesës dhjetëra vjeçare të Ankarasë për anëtarësim në BE.

Por analisti diplomatik Semih Idiz i gazetës turke Taraf dhe faqes së internetit Al Monitor paralajmëron se ka skepticizëm të thellë në Turqi mbi kërkesën e saj për anëtarësim në BE.

"Unë nuk mendoj se kjo është në mendjen e të gjithëve, kjo nuk është pjesë e debatit publik dhe është lënë mënjanë. Ekziston nocioni se pavarësisht se çfarë bën Turqia, kërkesa e saj për anëtarësim në BE kurrë nuk do të përparojë . Dhe unë mendoj se edhe kjo ka të bëjë me zhvillimet e brendshme në Turqi ku situata politike ka rezultuar në ngadalësimin e procesit të reformave të qeverisë".

Analistët thonë se reagimi i BE-së për krizën e refugjatëve sirianë është duke shtuar zhgënjimin e Ankarasë me Brukselin. Në Turqi jetojnë më shumë se 1,6 milionë refugjatë. Qeveria turke ka kritikuar BE-në për mos ndarjen e barrës së refugjatëve dhe ndihmës financiare për këtë çështje.

Por eksperti marrëdhënieve ndërkombëtare Aktar Idiz thotë se Ankaraja duhet të ndajë një pjesë të përgjegjësisë për problemet me të cilat po përballet.

"Problemi është se kur merrni ndihmë ndërkombëtare ju duhet të veproni në përputhje me rrethanat dhe duhet të lejoni organizatat ndërkombëtare të kujdesen për refugjatët. Kjo duhet të bëhet me organizatat qeveritare apo ato joqeveritare. Turqia nuk dëshiron ta bëjë këtë sepse nuk dërshiron që të huajt të shohin atë që po ndodh në vend".

Komisioneri i BE-së për ndihma humanitare, Kristos Stylianides, i cili shoqëroi zonjën Mogherini, më 9 dhjetor vizitoi kampet e refugjatëve.

Vëzhguesit thonë se vizita e zonjës Mogherini ishte më shumë një përpjekje për menaxhimin e dallimeve dhe parandalimin thellimit të përçarjeve mes Ankarasë dhe Brukselit se sa thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, veçanërisht kur Turqia është në një pozitë të tillë, të rëndësishme strategjike.

XS
SM
MD
LG