Lidhje

Turqia, emigrantët dhe marrëveshjet me BE-në


Autoritet turke thonë se mund të rishikojnë ose pezullojnë të gjitha marrëveshjet me Bashkimin Evropian për emigrantët, nëse nuk marrin një përgjigje pozitive mbi udhëtimin pa viza për në Evropë të shtetasve turq.

Ministri i jashtëm turk Mevlut Çaushollu tha sot gjatë një interviste për stacionin televiziv “A Haber” se marrëveshja për emigrantët dhe liberalizimi i vizave ishin pjesë e një pakete të vetme. Ndaj, sipas tij, Turqia ka të drejtë të marrë vendim për rivlerësim apo pezullim, nëse një element i saj nuk përmbushet.

Zoti Çaushollu tha gjithashtu se për momentin Turqia nuk ka asnjë problem me Rusinë dhe se do të forconte bashkëpunimin për arritjen e një armëpushimi dhe zgjidhjeje politike në Siri. Kjo, pas sulmit me armë kimike që vrau 100 civilë në provincën Idlib nën zotërimin e forcave rebele, për të cilin u fajësuan forcat qeveritare siriane.

Sulmi ndaj civilëve shkaktoi reagimin e Shteteve të Bashkuara që hodhën dhjetëra raketa Tomahok në një bazë ajrore siriane.

Sulmi me raketa shënoi një përshkallëzim të fortë në përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftën gjashtë vjeçare në Siri. Ai konsiderohet si veprimi i parë i drejtpërdrejtë amerikan kundër presidentit sirian Bashar al-Assad si dhe vendimi më i rëndësishëm ushtarak i presidentit Donald Trump që nga marrja e detyrës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG