Lidhje

Turqia dhe perspektiva e anëtarësimit në BE


Shtypja e minoritetit kurd dhe e medias nga Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përpara zhvillimit muajin e ardhshëm të zgjedhjeve parlamentare, po ushqen edhe më shumë skepticizmin e udhëheqësve evropianë. Analistët thonë se perspektiva e anëtarësimit të Turqisë në BE duket më e largët se kurrë më parë, pavarësisht përpjekjeve të Gjermanisë këtë javë në mbështetje të përshpejtimit të anëtarësimit, në shkëmbim të ndihmës së Ankarasë për përballimin e krizës në rritje të emigrantëve.

Presioni në rritje nga valët e dëshpëruara të emigrantëve dhe refugjatëve drejt Evropës i ka shtyrë udhëheqësit evropianë t’i ofrojnë lëshime të pazakonta Turqisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi para pak ditësh Turqinë.

“Ka arsye të forta pse BE-ja dhe Turqia ranë dakort të bashkëpunojnë më shumë për ta bërë më dinamik proçesin e anëtarësimit dhe përballimin së bashku të emigrantëve. Bisedimet janë shumë pozitive dhe po vazhdojnë,” tha Kancelarja Merkel.

BE-ja është e gatshme t’i ofrojë Turqisë më shumë bisedime rreth anëtarësimit të saj. Në territorin e Turqisë gjenden tashmë 2.5 milionë refugjatë, më shumë se në çdo vend tjetër, dhe udhëheqësi turk shprehu skepticizëm se lëshimet që po bën Turqia do të çojnë drejt anëtarësimit në BE.

Evropa Perëndimore ka hezituar prej kohësh të pranojë Turqinë në BE, dhe pamjet e trazirave politike në këtë vend, përfshirë shpërthimet në një tubim paqësor më 10 tetor, shtypja e mediave dhe e minoritetit kurd, po e ushqejnë më tej këtë ngurrim.

“Që nga fillimi, marrëdhënia është karakterizuar nga mosbesimi dhe ankthi. Shumë udhëheqës evropianë nuk duan t’iu bashkohet Turqia dhe vetë turqit e dëshirojnë anëtarësimin më tepër për arsye ekonomike se sa për të përmirësuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në vend,” thotë analisti Fadi Hakura, i “Chatham House”.

Dhuna dhe tensionet kanë njollosur periudhën para zgjedhjeve të shpallura për datën 1 nëntor nga zoti Erdogan, i cili shpreson të rifitojë maxhorancën që partia e tij humbi qershorin e kaluar.

Cilido që të jetë rezultati, perspektiva e anëtarësimit në BE dhe përfitimet ekonomike që vijnë prej saj, së bashku me premtimet për lehtësimin e regjimit të vizave mund t’i sigurojnë më shumë vota për partinë e zotit Erdogan.

XS
SM
MD
LG