Lidhje

E ardhmja e Turqisë pas përpjekjes për puç

  • Luis Ramires
  • Luis Ramirez

Grushti i dështuar i shtetit në Turqi dhe spastrimet e ndërmarra më pas nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, janë pjesë e një beteje mes islamistëve, vizioni përfundimtar i të cilëve është të lejohet një rol më i madh i fesë në jetën publike. Për disa njerëz në Turqi, ky vizion bie ndesh me shoqërinë laike të themeluar në vitin 1920 nga Mustafa Qemal Ataturku. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll Luis Ramirez, ka intervistuar dy gra, njëra neo-liberale laike dhe tjetra islamike. Ai analizon nga këndvështrimi i tyre se çfarë do të mbetet nga shteti laik dhe shoqëria civile turke kur të përfundojë spastrimi.

Përkrahësit e opozitës dhe të partisë në pushtet u bashkuan për të dënuar përpjekjen për grusht shteti. Ishte forca e këtyre njerëzve që ndali grushtin e shtetit.

Erdogan po spastron kundërshtarët dhe po del më i fuqishëm dhe më i lirë për të çuar përpara axhendën e tij islamiste.

Melda Onur, ish ligjvënëse e opozitës, beson se e njëjta forcë e njerëzve që ndaloi tanket natën e përpjekjes për grusht shteti, do të ndalë Turqinë të bëhet islamiste. Por, tani për tani, ajo është e shqetësuar:

“Është spastrimi i elementëve islamikë radikalë, por nga ana tjetër është këmbëngulja e tyre për të mos lënë hapësirë për ata që duan një republikë laike demokratike. Nuk e dimë nëse ky është një spastrim i vërtetë apo bëhet për të mbajtur pushtetin.”

Onur thotë se laicizmi është i ngulitur thellë në Turqi dhe beson se pozita e vendit mes botës myslimane në Lindje dhe Evropës në Perëndim, është një garanci se turqit nuk do të pranojnë një shtet islamik.

“Ata e shohin gjendjen e vendeve që nuk janë laike në rajon. Ky vend asnjëherë nuk ka lakmuar Irakun, Sirinë apo Iranin pasi e di çfarë do të thotë kjo. Por nga ana tjetër, ata nuk kanë lakmuar asnjëherë liberalizmin evropian.

Erdogan thotë se Turqia do të ngrejë një brez fetar dhe po udhëheq përpjekjet për të ndërtuar xhami.

Hilal Kaplan ishte mes atyre në urën e Bosforit që u përball me tanket natën e përpjekjes së grushtit ushtarak:

“Kjo urë nuk do të jetë asnjëherë njësoj për mua. Aty u vranë njerëz. Unë e dua Stambollin, por kjo urë asnjëherë nuk do të jetë njësoj për mua.”

Si opinioniste e njohur e një gazete pro-Erdoganit, ajo ndjehet më e lirë sot sesa vetëm pak vjet më parë kur ligjet e kohës së Ataturkut ndalonin gratë të mbanin shami në kokë në disa punë dhe zyra publike:

“Mendoj se gratë si forcë pune, të gjitha gratë, në parlament dhe vende të tjera, krijojnë një solidaritet të madh. Kjo vetëm se e forcon laicizmin. Nuk mendoj se është e kundërta.”

Ngushtica e Bosforit ndan Evropën nga Azia. Turqia është përsëri në udhëkryq, duke u përpjekur të bashkojë vlerat e Lindjes dhe Perëndimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG