Lidhje

Vazhdojnë debatet mbi ndërtimin e digës Ilisu në Turqi

  • Zëri Amerikës

Vazhdojnë debatet mbi ndërtimin e digës Ilisu në Turqi

Vazhdojnë debatet mbi ndërtimin e digës Ilisu në Turqi

Projekti për ndërtimin e digës Ilisu që parashikohet të prodhojë 3,8 miliard kilovat orë energji elektrike në vit është pjesë e planit të qeverisë turke për zhvillimin ekonomik të rajonit juglindor më pak të zhvilluar të vendit. Por ndërtimi i digës ka shkaktuar një numër debatesh mes qeverisë dhe grupeve për mbrojtjen e mjedisit, si dhe ka tërhequr vëmendjen e disa vendeve evropiane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones sjell hollësi.

I përkrahur nga deputetët e partisë së tij, kryeministri Rexhep Tajip Erdohan kohët e fundit premtoi se do t’i japë fund mosmarrëveshjeve mbi ndërtimin e digës Ilisu.

“Kjo është një luftë për civilizim,” tha ai. “Kjo është rruga për arritjen e nivelit të civilizimit modern.” Kryeministri Erdohan shtoi, “Këtu ka njerëz që po përpiqen të provokojnë dhe sabotojnë këtë projekt. Ndërsa ne po shuajmë etjen e Turqisë juglindore dhe të gjithë vendit, gjithashtu po bëjmë hapa të mëdhenj në fushën energjitike.”

Diga Ilisu do të kontrollojë lumin kryesor të Turqisë, lumin Tigër, dhe do të prodhojë energji elektrike dhe ujitjen e tokës në një nga rajonet më të varfëra në juglindje të vendit me popullsi kurde. Por ndërtimi i digës ka qenë i vështirë për pesë kryeministra turq.

Analistët thonë se zoti Erdohan dëshiron të portretizojë veten si njeriu i fuqishëm i politikës turke që kryen punë.

Debati më i madh po zhvillohet me grupet për mbrojtjen e mjedisit të cilat me vite kanë bërë fushatë kundër projektit në fjalë.

Një video e fushatës së aktivistëve të mjedisit paralajmëron se ndërtimi i digës do të përmbytë qytetin 3000 vjeçar me rëndësi historike dhe trashëgimi kulturore Hasankeif dhe qindra vende të paeksploruara arkeologjike. Sipas videos më shumë se 50 mijë njerëz të këtij rajoni do të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.

Përfaqësuesi i Shoqatës Turke të Natyrës, Gyven Erken thotë se diga Ilisu është betejë vendimtare mbi të ardhmen e hidrocentraleve të vendit.

“Kjo digë do të shkaktojë përmbytjen e lumit, do të dëmtojë ekosistemin prej 400 kilometrash, dhe do ta shëndrrojë lumin në një liqen të madh. Do të ndryshojë gjithë ciklin e ujit në atë rajon. Kjo do të ketë ndikim negativ në qytetin e lashtë mysliman Hasankeif. Ne kemi marrë mësim nga përvoja me digat tjera. Ato nuk kanë sjellë të ardhurat e premtuara ekonomike dhe kanë patur ndikim të madh ekologjik.”

Aktivistët turq të mjedisit kanë marrë mbështetje nga organizatat e huaja. Disa nga konsorciumet financiare ndërkombëtare kanë hequr dorë nga ky projekt. Ndërtimi i digës është ndërprerë tre herë gjatë katër viteve të fundit.

Sipas Emre Jigit, krye ekonomist i ndërmjetësuesit financiar Global Securities, me seli në Stamboll, ndërtimi i digës është aq i debatueshëm sa që vetëm disa invesitorë do ta mbështesnin ndërtimin e saj. Por, ai thotë, kjo nuk do të thotë se ndërtimi i digës nuk do të përfundojë.

“Mund të duket pak e çuditshme, por në teori, qeveria dëshiron që këto projekte të financohen nga pala kontraktuese, që në këtë rast nuk mund të gjej financim për projektin. Por, nëse qeveria turke vendos të ndjek këtë rrugë, kjo është e mundur.”

Analistët thonë se përveç prestigjit që sjell ndërtimi i këtij projekti, përfundimi i shpejtë i digës Ilisu është i rëndësishëm për kryeministrin Erdohan sepse do t’u jepte fund shqetësimeve që vijnë nga Iraku dhe Siria fqinje për këtë projekt.

Këto dy vende i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar të ushtroj trysni ndaj Turqisë që të ndërpresë ndërtimin e digës, meqenëse, sipas tyre, ndërtimi i digës do të pakësonte sasinë e ujit që ata marrin nga lumi Tigër. Iraku dhe Siria varen nga lumi Tigër për furnizimet me ujë të pijshëm dhe zhvillimin e bujqësisë.

Gun Kut është studiues i shkencave politike në Universitetin e Bosforit në Stamboll.

“Vonesat në përfundimin e projektit, do të rrisin problemet me fqinjët e saj. Kur të përfundojë ndërtimi i digës, të gjithë do ta dinë sasinë e ujit që do të shfrytëzohet dhe sasinë e ujit që do të vazhdojë të rrjedhë.

Disa artistë të njohur, përfshirë këngëtarin turk Tarkan, i cili përmes një kënge të tij proteston kundër ndërtimit të digës, i janë bashkuar fushatës kundër ndërtimit të digës Ilisum.

Gyven Erken thotë se përpjekjet e organizatës së tij, ShoqataTurke e Natyrës, kanë sjellur rezultate.

“Për herë të parë po diskutohet ndikimi negativ nga ndërtimi i një dige mbi natyrën dhe kulturën. Ky është një projekt i rëndësishëm dhe pavarësisht nga rezultati, projekti do të ketë pasoja të mëdha në projektet e ndërtimit të digave në Turqi. Për këtë arsye organizata jonë është aktive në këtë çështje.”

Duke marrë parasysh rëndësinë që ka për aktivistët e mjedisit dhe për qeverinë, mosmarrëveshjet mbi ndërtimin e digës Ilisu mund të vazhdojnë edhe pas përfundimit të këtij projekti në vitin 2013.

XS
SM
MD
LG