Lidhje

Ligji i debatueshëm i internetit në Turqi


Partitë opozitare në Turqi i kanë bërë thirrje Presidentit Abdullah Gul t’i verë veton legjislacionit që vendosë kufizime të debatueshme mbi internetin. Ky projektligj u miratua javën e kaluar nga parlamenti i vendit dhe ka shtuar shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare mbi liritë dhe të drejtat në vend.

Presidenti Gul është nën presion në rritje për t’i venë veton projekt-ligjit, i cili e lejon qeverinë të bllokojë faqet elektronike pa urdhër gjykat dhe i jep asaj qasje ndaj informacioneve të përdoruesve deri në dy vjet. Kemal Kilicdaroglu, udhëheqësi i partisë kryesore të opozitës, Partia Popullore Republikane, i bën thirrje presidentit të “mbrojë demokracinë dhe t’i verë veton ligjit”.

Presioni po shtohet gjithashtu nga ndërkombëtarët. Emma Sinclair Webb është analiste për Turqinë në organizatën Human Rights Watch.

"Ne i bëjmë thirrje presidentit t’i verë veton ligjit. Ai është miratuar në parlament me shpejtësi dhe pa konsultime, pa të dhëna të mjaftueshme nga ekspertët. Ne besojmë se presidenti tani ka shansin të mbrojë lirinë e fjalës duke i vënë veton këtij ligji, dhe të ruajë të drejtën e qytetarëve për qasje ndaj informacioneve në internet dhe të drejtën e privatësisë.”

Si Bashkimi Evropian edhe Këshilli i Evropës kanë bërë thirrje që legjislacioni të tërhiqet.

Të shtunën në mbrëmje, policia përdori gazin lotsjellës dhe plumbat plastik për të shpërndarë mijëra demonstrues që protestuan kundër ligjit të ri të internetit. Konfederata kryesore e biznesit në Turqi ka bërë thirrje gjithashtu që ligji të tërhiqet.

Në komente që shihen gjerësisht si një sinjalizim për lehtësimin e kufizimeve, President Gul theksoi muajin e kaluar rëndësinë e lirisë së internetit dhe veçanërisht të medias sociale. Por presidenti turk është gjithashtu anëtar themelues i partisë AK në pushtet.

Kadri Gursel, gazetar për të përditshmen turke Milliyet dhe faqen elektronike Al-Monitor, thotë se presidenti po kryen një akt delikat balancues politik.

"Zoti Gul e ka pozicionuar me zgjuarsi veten si një alternativë të natyrshme ndaj kryeministrit Erdogan nga brenda lëvizjes politike konservatore islamike. Dhe zoti Gul me zgjuarsi nuk e bën këtë duke sfiduar qeverinë e kryeministrit Erdogan. Ai është shumë miqësor me qeverinë në nënshkrimin e projektligjeve. Nuk krijon probleme përsa i përket kufizimit apo balancës së pushtetit të qeverisë."

Duke shtuar presionin mbi presidentin, kryeministri Erdogan, iu drejtua një mitingu në Stamboll të djelën, duke mbrojtur ligjin e ri të internetit dhe duke sulmuar ashpër kritikët.

Ai tha se këto rregulla nuk vendosin censurë mbi internetin; përkundrazi, thotë ai, ato e bëjnë atë më të sigurtë dhe më të lirë. Ai shtoi se ata që protestojnë kundër ligjit, janë pjesë e asaj që ai e quan “lobi i pornografisë."

Edhe nëse presidenti i vë veton legjislacionit të internetit, ai do të detyrohet ta nënshkruaj atë në ligj në se qeveria e miraton për herë të dytë pa ndryshime. Por vëzhguesit argumentojnë se një veto do të ishte një dëm politik për kryeministrin Erdogan dhe ka të ngjarë të intensifikojë kundërshtimin në rritje për legjislacionin e debatueshëm. Çështja ka gjithashtu pasoja për zgjedhjet presidenciale të këtij viti, për të cilat as kryeministri dhe as presidenti nuk kanë përjashtuar mundësinë për të garuar.
XS
SM
MD
LG